Fotografinë e Thaçit e zëvendësoi me një orë: Arsyetohet zyra e ministrit Bislimi

Fotografinë e Thaçit e zëvendësoi me një orë: Arsyetohet zyra e ministrit Bislimi

Zyra për media e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ka konfirmuar se është zhvendosur fotografia e Presidentit Hashim Thaçi, nga ballina e zyrës së ministrit Besnik Bislimi.

Veprimi i kryeparlamentares, Vjosa Osmani, u kritikua shumë nga opozita e shoqëria civile, ku në ditën e parë të punës në këtë pozitë, ajo largoi fotografinë e Presidentit Thaçi nga ballina e zyrës së saj.

E njëjtë si Osmani, ka vepruar edhe Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, duke larguar nga ballina e zyrës së tij fotografinë e Presidentit.

Metro ka kontaktuar zyrën për media të kësaj ministre, të cilët edhe e kanë konfirmuar zhvendosjen e saj.

“Ju njoftojmë se në Zyrën e Ministrit të Financave dhe Transfereve është bërë një riaranzhim i zyrës dhe në këtë rast është zhvendosur fotoja e Presidentit Hashim Thaçi në një pjesë tjetër të zyrës. Për çdo pyetje tjetër, ju lutem ndihuni të lire të na kontaktoni”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Komunikim Publik.

Një gjë e tillë vërehet edhe në fotografitë e takimeve të Bislimit, ku shihet se në vend të fotografisë së Thaçit ai ka vendosur një orë.

Hera e fundit që foto e presidentit ka qenë e vendosur në zyrën e Bislimit, ishte data 4 shkurt.