• E mërkurë / Jul-18 04:52
  • Kontakt

Marrëdhënia Holandë-Turqi në pikën kritike: Mbyllen zyrtarisht selitë diplomatike

Ambasadorit holandez i është refuzuar hyrja në Turqi që prej marsit të vitit 2017.

Ambasadorit holandez i është refuzuar hyrja në Turqi që prej marsit të vitit 2017. Sot u bë shpallja zyrtare e tërheqjes së ambasadorit holandez nga Ankaraja dhe ka efekt të lartë simbolik se sa praktik. Raporti mes Holandës dhe Turqisë, që të dy vende anëtare të NATO-s, ka arritur në pikë të ulët.

Gjatë bisedimeve të fundit ne “nuk arritëm të binim dakord se si mund t’i normalizonim marrëdhëniet tona”, tha ministri i Jashtëm holandez Halbe Zijlstra. Për momentin nuk ka “asnjë perspektivë” për të arritur ndonjë zgjidhje dhe prandaj negociatat do të pezullohen, tha Zijlstra. Po ashtu për sa kohë që nuk do të ketë një marrëveshje, as Turqisë nuk do t’i lejohet të dërgojë një ambasador të ri në Hagë.

Shkaku i konfliktit ishte refuzimi vitin e kaluar nga ana e qeverisë holandeze për t’u lejuar ministrave turq që të zhvillonin fushatë zgjedhore në Holandë. Rezistencë të ngjashme pati edhe në vendet e tjera evropiane.
Holanda nuk e lejoi marsin e vitit të kaluar, ministren turke të Familje Fatma Betül Kaya Sayan që të zhvillonte në Roterdam para bashkatdhetarëve të saj takime për të propaganduar reformën e diskutueshme kushtetuese për të vendosur një sistem presidencial në Turqi. Haga i ndaloi takime të tilla, edhe sepse pak më vonë në Holandë zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare.
Meqë ministrja e Familjes u përpoq të shkonte në Roterdam pavarësisht mosdhënies së lejes, policia e ndaloi konvojin e saj dhe e detyroi të kthehej dhe të largohej nga vendi nën shoqërimin e policisë. Pas kësaj në Roterdam pati protesta të ashpra nga turq që jetojnë në Holandë, të cilat u shpërndanë me forcë nga policia.

Për shkak të ndalimit të mitigjeve nga ana e politikanëve turq Recep Tayyip Erdogan e akuzoi Holandën dhe Gjermaninë se përdorin “metoda naziste”, gjë që shkaktoi indinjatë në Evropë.