• E mërkurë / Jul-23 11:49
  • Kontakt

​Turqia ia rrëzon një aeroplan Sirisë, vjen reagimi rus

​Turqia ia rrëzon një aeroplan Sirisë, vjen reagimi rus

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë tha se kanë rrëzuar një aeroplan sirian L-39 mbi Idlib.

“Si pjesë e operacionit të suksesshëm të ‘mburojës pranverore” (në  Idlib) u rrëzua një aeroplan ushtarak i regjimit sirian L-39,”tha  ushtria turke.

Televizioni shtetëror sirian konfirmoi informacioni. Sidoqoftë, të  gjithë sytë i janë drejtuar Moskës pasi regjimi i presidentit sirian  Bashar Al- Assad është në koalicion me Rusinë.

Për shkak të situatës në Idlib, udhëheqësit turq dhe rus janë vënë  “në akull të hollë” pasi konflikti kërcënon të përshkallëzohet në çdo  moment. Kjo është pikërisht arsyeja pse presidenti i Turqisë Recep  Tayyip Erdogan udhëton në Moskë këtë javë për të provuar të “qetësojë  situatën” me Vladimir Putin.

Të dielën, Ankaraja filloi një operacion të ri ushtarak në veri-perëndim të Sirisë “Mburoja e Pranverës”.

Ndërkohë Kremlini tha që Moska dhe Ankaraja ishin të afta të zvogëlonin rrezikun e konfliktit të armatosur në Idlib.

“Shpresojmë të zvogëlojmë rrezikun pasi ushtritë e të dy vendeve  mbajnë kontakte të ngushta,” tha zëdhënësi i presidencës ruse Dmitry  Peskov duke iu përgjigjur gazetarëve në lidhje me mundësinë e një  konfrontimi të armatosur midis Rusisë dhe Turqisë në Idlib.

Turqia ka vendosur mijëra trupa në mbështetje të forcave rebele në Idlib, por kjo nuk ka ndaluar përparimin e forcave siriane.

Turqia, në shenjë proteste për përshkallëzimin e konfliktit në Siri,  ka hapur kufijtë e saj perëndimorë për mijëra refugjatë që kërkojnë të  arrijnë në BE. Që atëherë, mijëra njerëz janë përpjekur të kalojnë  kufirin me Greqinë, por autoritetet greke nuk kanë lejuar të kalojnë  vijën e tyre të mbrojtur mirë të kufirit.