Kurti porosi Thaçit: Nëse nuk jemi unik në politikën e jashtme, humb Kosova

Kurti porosi Thaçit: Nëse nuk jemi unik në politikën e jashtme, humb Kosova

Kryeministri  i Kosovës, Albin Kurti ka folur para të pranishmëve në manifestimin  qëndror që është mbajtur në kazermën “Adem Jashari”.

                                                                                                                

Duke folur për sakrificën e familjes Jashari,  Kurti ka thënë se para 22 viteve, kishte ndodhur diçka që as bota nuk e  kishte parë, shkruan lajmi.net.

“Sot, 22 vite më parë, madje edhe në të njëjtën ditë, 5 marsi i 1998  ishte e enjte, po ndodhte kulmimi i një situate të re. Po ndodhte dicka e  jashtëzakonshme të cilën bota nuk e kishte parë.  Familja Jashari po  luftonte me një shtet fashist. Ishte kjo familje, ishte Adem Jashari e  Hamëz Jashari e baca Shaban që njëherë e përgjithmonë  na treguan se kur  është liria në pyetje nuk ka asnjë forcë që mund t’i zbrapsë”, tha ai.

Kurti tha se Jasharajt e kishin vënë popullin para familjes me flijimin e tyre, dhe kështu sipas tij e ndryshuan edhe popullin.

Ai tha se Kosova dëshiron një ushtri të fortë e profesionale, dhe në këtë formë do të investojë në të.

“Jasharajt e kishin vënë popullin mbi familjen, dhe kështu e  ndryshuan popullin sepse  e bashkuan atë. Gjithçka ndryshoi  përgjithmonë. Ne duam një ushtri të fortë e profesionale që mbron  tërësinë tonë territoriale, e kështu do të rrisim investimet në ushtri.  Ne jemi një popull liridashës, që nuk nënshtrohemi, ushtria është nevojë  e kohës.  Aleanca jonë më NATO-n është e domosdoshme dhe anëtarësimi  jonë në NATO dhe BE duhet përshpejtuar për ta parandaluar ndikimin e  fuqive të huaja”, tha ai.

Kurti nga kazerma “Adem Jashari” dha edhe mesazhe politike, teksa  bëri thirrje për tejkalimin e dallimeve politike në politikën e jashtme.

“ Ne nuk mund të përballojmë dallimet në politikën e jashtme, sepse  cënon integritetin tonë. Kur nuk pajtohemi dhe gabojmë në politikën e  brendshme humbin liderët dhe partië. Kur nuk pajtohemi në politikën e  jashtme, humb Kosova. SHBA-të e duan një Kosovë të fortë e të pavarur,  që mbron e avancon interesat e saj. FSK mund të ngjajë një fuqi e vogël,  por ajo është partnere e denjë e NATO-s dhe SHBA-ve. Jasharajt na  mësuan se asgjë nuk mund ta arrijmë pa vetëmohim dhe unitet. Borxhi ndaj  tyre shlyhet vetëm me vetëmohim.Unë kërkoj unitet, përkundër dallimeve  që kemi”, tha në fund kryeministri Kurti.