Trump: Talibanët mund të kthehen në pushtet pas tërheqjes së SHBA-së

Trump: Talibanët mund të kthehen në pushtet pas tërheqjes së SHBA-së

Presidenti  amerikan, Donald Trump ka thënë se talibanët “mund” të përmbysin  qeverinë e përkrahur nga perëndimi në Kabul, pas tërheqjes së Shteteve  të Bashkuara nga Afganistani.

                                                                                                                

Trump ka folur para gazetarëve në Shtëpinë e  Bardhë më 6 mars, disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një  marrëveshje me talibanët, me qëllim të dhënies fund të luftës  18-vjeçare në Afganistan.

I pyetur nëse një tërheqje eventuale amerikane nga Afganistani mund  të rezultojë me përmbysje të qeverisë aktuale nga talibanët, presidenti  ka thënë se “kjo nuk duhet të ndodhë mirëpo mund të ndodhë”.

“Fundja, shtetet duhet të kujdesen për veten e tyre. Ne nuk mund të  qëndrojmë aty për 20 vjet tjera”, ka shtuar mes tjerash Trump.

Shtetet e Bashkuara dhe talibanët kanë nënshkruar më 29 shkurt, një  marrëveshje në Doha, që lejon forcat perëndimore të largohen nga ky  shtet brenda 14 muajve, në këmbim të zbatimit të përkushtimeve nga  talibanët, përfshirë edhe negociatat e këtyre të fundit me Qeverinë  afgane.

Megjithatë, presidenti afgan, Ashraf Ghani ka paralajmëruar se ai nuk  është i gatshëm për të zbatuar një pikë të marrëveshjes, që parasheh  lirimin e 5,000 talibanëve të burgosur.

Forcat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja kanë pushtuar  Afganistanin në vitin 2001 duke larguar nga pushteti talibanët, pasi  grupi militant refuzoi që ta dorëzonte terroristin e Al-Kaidës, Osama  bin Laden.

Nga ajo kohë, rreth 2,400 ushtarë amerikanë janë vrarë gjatë  luftimeve, së bashku me dhjetëra mijëra ushtarë afganë, luftëtarë  ekstremistë dhe civilë.