Pas Grenell, reagon edhe Thaçi: Deklarimet e rreme nuk i ndihmojnë procesit të dialogut Kosovë-Serbi

Pas Grenell, reagon edhe Thaçi: Deklarimet e rreme nuk i ndihmojnë procesit të dialogut Kosovë-Serbi

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj  deklarimeve të Edward Joseph, pedagog në Universitetin e Uashingtonit, i  cili mes tjerash në një intervistë ka thënë se po diskutohet edhe  ndarja e Kosovës.

“Qëllimi i vërtetë i Grenell, Vuçiqit dhe Thaçit ishte të  arrihet marrëveshja. Dhe unë besoj se bëhet fjalë për të njëjtën  marrëveshje apo të ngjashme për të cilën ishin dakorduar gjatë mandatit  të Mogherinit. Dhe kjo nënkupton ndarjen e Kosovës, që dikur quhej  shkëmbimi i territoreve, por në thelb bëhet fjalë për ndarje sepse nuk e  dimë se sa territor të Serbisë do të përfitonte Kosova. Sipas të gjitha  gjasave diçka minimale”, ka thënë Joseph.

Thaçi, deklaratën e tij e ka quajtur të trilluar, duke thënë  se, si munden analistët të krijojnë mendime të tilla të cilat nuk do ta  ndihmojnë procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Është zhgënjyese të shohësh se si disa analistë me lehtësi  krijojnë planet e tyre të trillimeve (shkëmbim tokash, ndarje, autonomi)  dhe t’ua atribuojnë atyre që janë duke u përpjekur të bëjnë një  marrëveshje historike midis Kosovës dhe Serbisë. Përhapja e planeve dhe  lajmeve të rreme nuk do të ndihmojë këtë proces”, ka shkruar Thaçi në  Twitter.

Ndaj profesorit Edward Joseph, ka reaguar edhe i Dërguari Special i Amerikës për dialogun Kosovës-Serbi, Richard Grenell.

Grenell ka thënë se në prezencë të tij asnjëherë nuk është diskutuar për ndarjen e Kosovës.