Futbolli dhe basketbolli pa tifozë në Kosovë, dobitë dhe dëmet: Flasin Ardian Llumnica dhe Elvira Dushku

Futbolli dhe basketbolli pa tifozë në Kosovë, dobitë dhe dëmet: Flasin Ardian Llumnica dhe Elvira Dushku

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka marr vendim për  masa parandaluese në funksion të mbrojtjes nga COVID-19, i njohur si  Coronavirusi.

Këtu futen edhe të gjitha aktivitetet, ndeshjet e tubimet sportive, që do të mund të zhvillohen, por pa praninë e publikut.

FFK dhe FBK kanë marr vendim që tifozët të mos lejohen në ambientet sportive për dy javë.

Trajneri dhe analisti i futbollit, Ardian Llumnica, në një prononcim  për Telegrafin ka thënë se ky vendim është i duhur, pasi njëjtë kanë  vepruar shumë vende.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës qe i prek edhe aktivitetet sportive  duke urdhëruar që ato të zhvillohen pa praninë e tifozëve është shumë i  qëlluar dhe është masë parandaluese që tashmë e kanë marrë shumë shtete  të Evropës dhe Rajonit”, ka thënë fillimisht Llumnica.

Ai shtoi se sporti është i shurdhër pa tifozë, duke shtuar se nuk do  të ketë ndikim të madh tek klubit, si te sukseset ashtu edhe tek të  ardhurat.

“Natyrisht që sporti pa tifozë është i shurdhër sepse fundja për ta  zhvillohet, por kjo nuk ndikon aq tek sukseset e klubeve apo as në  aspektin material aq sepse hiq disa ndeshje ku ka të ardhura solide nga  biletat e tifozëve në shumicën e ndeshjeve tjera nuk ka numër aq të madh  të shikuesve. Sidoqoftë urojmë që kjo të mos zgjas dhe të hapen dyert  për tifozët”.

Llumnica tha se federatat sportive duhet të marrin në konsideratë,  idenë që ndeshjet tek kategoritë e reja të mos zhvillohen, sikurse mori  vendim FFK.

“Varësisht nga konstatimi i institutit shëndetësor për këtë epidemi  edhe mund të merren masa tjera, por dua ta potencoj një gjë. Pasi që  është marrë vendim që të ndërpritet procesi mësimor në shkolla atëherë  është e pa kuptimtë që për këto dy javë te vazhdojmë të luajmë me  gjeneratat në 17 vjeç (me fëmijë), sepse po ata sportist janë nxënës në  shkolla. Mendoj që federatat duhet ta analizojnë këtë”, përfundoi ai.

Dushku: Do të na mungojnë tifozët, por shëndeti është parësor

Federata e Basketbollit e Kosovës ka reaguar menjëherë pas vendimit  të Qeverisë së Kosovës, që të mos ketë shikues, duke përkrahur këtë  vendim dhe ndeshjet nga dita e sotme (e enjte) do të zhvillohen pa  shikues.

Gjithashtu FBK-ja me anë të një komunikate për media, ka bërë të  ditur se, kush mund të jetë në palestër gjatë zhvillimit të ndeshjes dhe  kush nuk mundet.

Sekretarja gjenerale e FBK-së, Evlira Dushku, ka folur për vendimin, dobitë dhe dëmet që mund të vijnë.

“Për ne, tifozët janë shumë të rëndësishëm, megjithatë, shëndeti  është në rend të parë dhe besoj se e kuptojnë edhe tifozët këtë gjendje.  Vendimi mund të ndryshojë në bazë të situatës në vend, por ne do t’i  ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme, sepse shëndeti është parësor”,  ka thënë Dukshu për Telegrafin.

Ajo shtoi se vendimet e radhës, për pezullimin e kampionatit apo  ndonjë masë të re parandaluese, do të merren në bashkëveprim me Qeverinë  dhe federatat e tjera sportive.

“Kemi reaguar menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës dhe  sigurisht se të gjitha vendimet do të jenë në një linjë me federatat  tjera sportive apo edhe udhëzimeve nga Ministria e Sportit. Për momentin  kemi vendosur që të gjitha ndeshjet, në të gjitha rangjet e garave të  zhvillohen pa shikues. Ky është vendimi ynë. Nëse situata ndryshon në  vend, sigurisht se mund të ketë vendime tjera, por shpresojmë se gjendja  do të përmirësohet dhe ndeshjet të zhvillohen si më parë, sepse tifozët  janë bukuria e sportit. Ne do të veprojmë sipas vendimeve nga Qeveria e  Kosovës apo Ministria e Sportit”.

Dushku në fund tha se, FBK e di që do të ndikojë tek klubet mungesa e  tifozëve, ku këtë vit ka pasur rritje të ndjeshme, por vendimi sipas  saj është marr për të mirën e përgjithshme.

“Ne e kemi parasysh se mund të ketë ndikim te klubet tona,  megjithatë, vendimi është marrë në bazë të situatës dhe vendimit të  Qeverisë së Kosovës, që është përkrahur edhe nga Ministria e Kulturës,  Rinisë dhe Sportit (MKRS). Në shtetet e rajonit, por edhe në shumë  shtete tjera evropiane, ndeshjet po zhvillohen pa shikues, madje, disa  kampionate janë ndërprerë tërësisht”.

“Ne mbetemi me shpresë se situata do të përmirësohet dhe tifozët do t’i  kthehen palestrave. Në këtë kampionat kemi pasur dukshëm rritje të  numrit të tifozëve. Kjo është parë më së miri në Final 8 të Kupës, ku  palestra në Rahovec, për katër ditë ka pritur më shumë se 15 mijë  tifozë. Gjithashtu edhe rikthimi i Pejës ka rritur numrin e tifozëve,  derisa edhe në palestrat tjera numri i tifozëve ka qenë i lartë”, ka  thënë ish basketbollistja, tani sekretare gjenerale e FBK-së, Elira  Dushku.