Kurti është shprehur se janë pajtuar për bashkëpunim në politikën e jashtme.
Ai ka theksuar se është diskutuar për shumë tema, nga mini-Shengeni deri tek dialogu në Bruksel e Uashington dhe tarifa 100 për qind, duke e konsideruar takimin me Thaçin, me rëndësi për Kosovën.
“U pajtuam të bashkëpunojmë sa i përket politikës së jashtme.Takimi ka hapur një mori temash, nga mini-shengeni, tek aleanca ballkanike, nga çështjet e energjisë, pozitës e opozitës, deri tek dialogu në Bruksel e në Uashington e tarifa e kështu me radhë, por mendoj se ka qenë takim i rëndësishëm, i cili është lajm i mirë për shtetin e Kosovës, meqenëse kryeministri dhe presidenti bisedojnë së bashku për gjërat e përbashkëta.”, tha Kurti.
Më tutje, Kurti është shprehur se takimi ka qenë substancial dhe takimet do të vazhdojnë, duke konsideruar se duhet të ketë parashikueshmëri mes liderëve politikë.
“Ka qenë takim substancial dhe do të vazhdohet në mënyrë që të mos ketë befasi për qytetarët e republikës dhe ne duhet ta rrisim parashikueshmërinë e njëri-tjetrit, për njëri-tjetrin, jo vetëm kryeministri e presidenti, por edhe të tjerët. Në këtë kuptim, ka vend për më shumë shpresë.”, tha më tutje Kurti.
I pyetur nëse janë pajtuar me Thaçin për çështje me rëndësi, Kurti tha se janë pajtuar lidhur me mini-Shengenin, por theksoi se nuk është arritur mirëbesimi i nevojshëm.
“Unë e përmenda dialogun, natyrisht që është diskutuar mundësia e marrëveshjes, kemi shprehur qëndrimet, mirëpo tash për tash nuk mund të them më shumë sepse nuk mund të konstatoj se është ndërtuar mirëbesimi i nevojshëm. Ka mundësi që disa gjëra që jemi pajtuar edhe më herët. Po kufizohem duke theksuar rastin e mini-shengenit, nuk është se nuk pajtohemi për asgjë, natyrisht.”, tha Kurti.