QKUK-ja dhe shtatë spitalet e përgjithshme kanë 95 respiratorë

QKUK-ja dhe shtatë spitalet e përgjithshme kanë 95 respiratorë..

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë gjithsej 58  respiratorë. Por, aktualisht, që të gjithë janë në shërbim të pacientëve  të hospitalizuar. Në këtë institucion, janë edhe 15 respiratorë  rezervë, të cilët mund të përdoren në rast nevoje për të sëmurët me  koronavirusin e ri.

Ndërkaq në spitalet e përgjithshme në Mitrovicë, Pejë, Gjilan,  Vushtrri, Gjakovë, Prizren dhe Ferizaj, janë gjithsej 22 respiratorë, që  mund të përdoren për pacientë në nevojë, thonë zyrtarët në QKUK.

Përcilleni blogun e drejtpërdrejtë të Radios Evropa e Lirë për koronavirusin në botë.

Respiratorët përdoren për filtrimin e ajrit nga ndotësit te pacientët që janë të prekur nga sëmundjet e rënda.

Deri më tani, në Kosovë janë konfirmuar pesë persona të prekur nga Covid-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi.

Koronavirusi i ri shkakton vështirësi në frymëmarrje, koll dhe temperaturë.

Po ashtu, janë edhe disa spitale private në Kosovë, por që sipas  zyrtarëve në Ministrinë e Shëndetësisë, ende nuk është bërë ndonjë  marrëveshje, nëse këto spitale private do t’i pranojnë ose jo pacientët  për trajtim të koronavirusit.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informim në Ministrinë e  Shëndetësisë, tha se tash për tash qendër kryesore për trajtimin e  rasteve me shenja të qarta klinike dhe të prekurve me koronavirusin e  ri, është Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Nëse ka nevojë edhe repartet infektive të spitaleve të përgjithshme,  nëse do të ketë nevojë mund të bëhen riorganizime të klinikave apo  shërbimeve në funksion të trajtimit klinik të rasteve. Nuk ka spital  privat të infektivës në Kosovë. Ata, nëse hasin në raste të dyshimta, i  rekomandojnë për në sektorin publik. Të dy sektorët janë të obliguar të  bashkëpunojnë, brenda udhëzimeve e rekomandimeve për menaxhimin e  rasteve te dyshimta ose të konfirmuara”, tha Hoti.

“Pra, sa u përket spitaleve private, mendoj se është herët të  kërkohet diçka nga ta, për aq sa kemi kapacitete në sektorin publik”,  tha ai.

Ndryshe, për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri, Qeveria  e Kosovës ka vendosur t’i ndërmarrë disa masa parandaluese, përfshirë  edhe mbylljen e shkollave në të gjitha nivelet deri më 27 mars.

Zbatimi i masave parandaluese kundër Covid-19, që ka ndërmarrë  Qeveria e Kosovës, po mbikëqyren nga autoritetet përkatëse, ndërkohë që  kërkohet edhe bashkëpunimi i qytetarëve që këto masa parandaluese të  jenë të suksesshme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditën e premte, ka thënë se  ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka propozuar që qeveria t’i ketë  edhe katër përfaqësues të tjerë, Ministrin e Infrastrukturës dhe  Ambientit, përfaqësuesin e Klinikes Infektive, përfaqësues të Institutit  Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Qendrës së Situatave në Këshillin e  Sigurisë.

“I ftojmë të gjithë qytetarët që nëse kanë shenja të virusit të rrinë  në shtëpi e të kontaktojnë përmes telefonit e të mos shkojnë direkt në  qendrat e mjekësisë familjare”, ka thënë kryeministri Kurti.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për ta luftuar përhapjen e koronavirusit të ri.