13 raste me coronavirus në Kosovë, Vitia komuna me numrin më të madh të personave të prekur

13 raste me coronavirus në Kosovë, Vitia komuna me numrin më të madh të personave të prekur


Sikurse në krejt vendet e botës edhe Kosova është prekur nga virusi COVID-19 apo i njohur si Coronavirusi.

Deri më tani në vendin tonë janë testuar mbi 200 raste të dyshimta, ku prej tyre 13 kanë rezultuar pozitivë.

Rastet e para të prekura nga coronavirusi u shënuan të premten më 13  mars 2020, ku dy pacientë që kishin ardhur nga Italia, pas analizave të  bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dolën pozitiv,  shkruan Telegrafi.

Nga rastet e para të konfirmuara me Covid-19 ishte një shtetase  italiane e moshës 20 vjeçare e cila kishte qëndruar në Klinë, kurse  pacienti i dytë, një kosovar i moshës 77 vjeç nga Stublla e Vitisë.

Pas këtyre, u konfirmua edhe rasti i tretë, një 39 vjeçar, i cili po  ashtu është nga Stublla e Vitisë, familjar i 77 vjeçarit që ishte  diagnostifikuar me coronavirus.

Pasditen e së shtunës u konfirmuan edhe dy raste të reja duke e çuar  në pesë numrin e të prekurve nga coronavirusi. Në mesin e këtyre dy të  prekurve ishte 42 vjeçari nga Stublla e Vitisë, familjar i 77 vjeçarit i  cili ishte në mesin e rasteve të para të prekura nga ky virus. Kurse  rasti tjetër ishte një 37 vjeçare, shtetase e Kosovës me qëndrim në  Itali-Brescia me vendqëndrim në fshatin Bubavec të Malishevës.

E numri i të prekurëve u rrit gjatë ditës së djeshme ku u konfirmuan  edhe katër raste të reja, duke çuar në nëntë numrin e të prekurve.

Tri raste ishin nga Komuna e Malishevës, që të tre persona kontakti  të një pacienteje të diagnostikuar pozitive me COVID-19, me datë  14.03.2020 dhe rasti i katërt ishte nga Komuna e Podujevës.

E në orët e hershme të ditës së sotme (e hënë), ministri i  Shëndetësisë bëri të ditur se janë shënuar edhe katër raste të tjera,  duke çuar në 13 numrin e përgjithshëm deri më tani të personave të  prekur me COVID-19.

Të katër këta persona janë nga Stublla e Vitisë, po ashtu familjarë  të 77 vjeçarit, i cili u diagnostifikua me coronavirus të premten.

Bazuar në këto të dhëna deri më tani Vitia është komuna me numrin më  të madh të personave të prekur me coronavirus, gjithsej shtatë persona.  Pas Vitisë, radhitet Malisheva me katër persona të diagnostifikuar me  COVID-19, në Klinë është një person dhe në Poduejvë një gjithashtu.

Pas këtyre rasteve Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente, ndërkaq komunat e prekura janë futur në karantinë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e  Shëndetësisë vazhdimisht po bëjnë apel tek qytetarët që të rrinë në  shtëpitë e tyre dhe tu përmbahen udhëzimeve të publikuara për tu  mbrojtur nga ky virus.