Zyra e Presidentit: Po shqyrtohet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme

Presidenti Hashim Thaçi po e përcjell gjendjen e krijuar nga shpërndarja e virusit covid-19, për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

Zyra e Presidentit ka njoftuar se nëse kreu i shtetit e vlerëson të nevojshme, do ta shpallë gjendje të jashtëzakonshme.

”Presidenti është duke e përcjellë me vëmendje gjendjen dhe në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm. Nëse e vlerëson të nevojshme do të shpallë edhe gjendje të jashtëzakonshme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.

Qeveria e Kosovës, me rekomandim të Ministrisë së Shëndetësisë, e ka shpallur gjendjen emergjente të shëndetit publik.

Në Kosovë tashmë janë konfirmuar 15 raste të infektuara me virusin covid-19, i njohur si koronavirus.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme parashihet me Kushtetutë të Republikës së Kosovës.