Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar të Kosovës, ka njoftuar të gjithë qytetarët se Serbia dhe Mali i Zi, kanë marrë vendim që të ndalojnë hyrjen e veturave nga Kosova me përjashtim të atyre që bartin mallra.
Në njoftim thuhet se këto masa do të zgjasin deri në një vendim tjetër.
“Ju ndalohet hyrja në territorin e Republikës së Serbisë #SRB, për të gjithë shtetasit / veturat, autobusët dhe minibusët e Republikës së Kosovës #RKS që posedojnë dokumente të lëshuara nga Republika e Kosovës #RKS. Do të lejohet hyrja vetëm e automjeteve komerciale”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, QKMK ka njoftuar edhe për masat e ndërmarra nga ana e autoriteteve të Republikës së Malit të Zi.
“Sa i përket qarkullimit kufitar për në Republikën e Malit të Zi #MNE. Ju ndalohet hyrja në territorin e Republikës së Malit të Zi #MNE, për të gjithë shtetasit / veturat, autobusët dhe minibusët e Republikës së Kosovës #RKS. Do të lejohet hyrja vetëm e automjeteve komerciale (ata të cilat bartin mallra). Kjo masë do të zgjasë deri në një vendim tjetër. Po ashtu edhe aeroporti i #Podgoricës është i mbyllur”, vijon njoftimi.
Ndryshe, Mali i Zi vazhdon të mbetet i paprekur nga coronavirusi, ndërkaq në Kosovë numri i personave të infektuar me (COVID-19), ka shkuar në 16, ndërsa në Serbi numri i personave me këtë virus është 57.