Postimi në facebook i znj.Ardita Sinani
E tërë bota po vazhdon të përjetojë vuajtje dhe pasiguri si rezultat i përhapjes së pandemisë COVID 19, e rrjedhimisht nëpër të njëjtën jemi duke kaluar edhe ne si komunë.
Për fatin tonë të mirë, në komunën e Preshevës nuk është paraqitur asnjë i infektuar me Virusin Corona. Mirëpo, kjo nuk guxon që të na bëjë të ndihemi rehat dhe të neglizhojmë këtë situatë, përkundrazi ishte dashur që institucionet përgjegjëse lokale të ndërmarrin masa parandaluese, ashtu siç tash e sa ditë ka ndodhur me komunat në rajon e që për fat të keq nuk po shohim asnjë hap konkret në komunën tonë.
Arsyeja pse deri sot nuk kishim reaguar, ishte për shkak të ndjeshmërisë së situatës dhe shpresës që udhëheqja lokale e Preshevës do të ndërmarrë ndonjë hap konkret. E menduam që llogarinë kryetarit të komunës, si njeriu i cili do të duhej të ishte menaxhues i situatës e jo gazetar raportues përmes profilit të tij, t’ia kërkonim vetëm pas përfundimit të kësaj sfide nëpër të cilën po kalojmë. Mirëpo, ishte pikërisht kryetari i komunës, i cili edhe në këso situata, shfrytëzon propagandën e tij tashmë të njohur për të gjithë, fyese, për të mbuluar dështimet e tij të akuzojë të tjerët. Rast i ngjashëm ishte kur para disa ditësh mbajti takim me disa drejtorë të shkollave të komunës së Preshevës dhe e paraqiti si dështim të Këshillit Kombëtar mungesën e mësimit në distancë.
Në të njëjtin, theksoi se komuna e Preshevës do të asistojë në mbarëvajtjen e mësimit, pa e precizuar, e ndoshta pa e kuptuar as vet se çka nënkupton me “asistimin” e komunës. Të vetmen mundësi që e ka për ta bërë një gjë të tillë, e që është përmes inspektorit komunal të arsimit, kryetari i komunës nuk po e emëron të njëjtin vetëm se në taborin e tij të ngushtë të interesit nuk ka kuadro adekuat, shqetësim të cilin e kishim ngritur më herët.
Në të njëjtën kohë, kryetari i komunës po harron që njërën nga mundësitë e zhvillimit të mësimit në distancë, siç është RTV Presheva e solli në situatë të mbylljes së dhunshme, e në anën tjetër refuzon bashkëpunimin me televizionin tjetër lokal privat siç është RTV Aldi. E mediumi i vetëm i përshtatshëm për të (portali i shndërruar në zëdhënësin e propagandës së tij) tashmë ka humbur edhe atë pak kredibilitet që e ka pasur, meqenëse pronari i tij tashmë edhe u dëshmua me fakte se keqpërdori të njëjtin për njollosje të të gjithëve që mendojnë ndryshe nga Shqiprim Arifi.
Sa i përket masave të ndërmarra, komuna e Preshevës është e rralla, për të mos thënë e vetmja, që nuk ka aplikuar dezinfektimin e institucioneve publike e shesheve, siç po bëjnë komunat në rajon.
E vetmja që po bën kryetari i komunës, janë raportimet boshe të tij përmes profilit të tij në rrjetet sociale. Në anën tjetër Shtabin për situata të jashtëzakonshme e ka shndërruar në një zyrë ofiqarie për dhënien e vërtetimeve dhe një Call Center, ku ai lajmërohet në linjën e këtij Shtabi për të dhënë këshilla të gjithëllojshme sikur të ishte ekspert i të gjitha lëmive. E këto skena i paraqet po prapë në profilin e tij të facebook-ut duke dhuruar kështu asgjë tjetër përpos spektakli, në pamundësi dhe injorancë totale për të bërë diçka konkrete.
Ky postim për asnjë moment nuk ka përhapjen e panikut te qytetarët, sepse unë besoj se këtë virus ne së bashku do ta luftojmë duke qenë shumë të disiplinuar në ndjekjen e këshillave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë si dhe të mjekëve tanë infektolog, e jo nga këshillat e një të paafti për të menaxhuar as këtë e asnjë situatë tjetër në komunë të Preshevës, të cilin, kohët e fundit disa kanë filluar ta ngritin në nivelin e një lideri largpamës!?
Duke pasur parasysh mungesën e kuadrove, i bëj apel kryetarit të komunës që ti ofrojë mundësi mjekëve për të asistuar me këshillat e veta menaxhimin më të mirë të situatës.
Në të njëjtën kohë jemi të gatshëm të japim kontributin tonë me kuadrot tona.
KUJDES maksimal, PANIK minimale!