Gucati: Kategoritë e dala nga lufta të përfshihen në pakon emergjente të Qeverisë

Gucati: Kategoritë e dala nga lufta të përfshihen në pakon emergjente të Qeverisë

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kërkon nga Qeveria e Kosovës që veteranët, invalidët e familjarët e dëshmorëve të jenë pjesë e Pakos Emergjente Fiskale.

Kështu ka kërkuar kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, i cili ka theksuar se këto tri kategori kanë nevojë më së shumti për ndihma, pasi që janë pjesë e ndjeshme e shoqërisë sonë.

“Veteranët, invalidët e familjarët e dëshmorëve kërkojnë të jenë pjesë e Pakos Emergjente Fiskale të ndarë nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Financave në të cilën janë paraparë disa masa për të ruajtur thellimin e krizës në sektorin e ekonomisë, si pasojë e përhapjes së virusit COVID-19 në vend’, ka shkruar Gucati në Facebook.

Ai thotë se veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve duhet të përfshihen në pakon e ndihmave financiare.

“Në emer të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Financave që edhe kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së të përfshihën në pakon e ndihmave financiare si pasojë e përhapjes së virusit COVID-19 në vend. Këto tri kategori; veteranët, invalidët e familjarët e dëshmorëve, janë kategoritë që kanë nevojë më së shumti për ndihma. Janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë por edhe më e varfëra e ranguar në skemat sociale të vendit”, ka shkruar Gucati.