Kjo është gjendja shëndetësore e infermiereve të prekura me COVID-19

Pesë infermiere të Klinikës Infektive janë të infektuara me koronavirus.

Në Kosovë janë gjithsej 184 persona të prekur me virusin COVID-19, ku pesë janë infermiere të Klinikës Infektive.

Lindita Ajazaj-Berisha, drejtoreshë e Klinikës Infektive në një konferencë për medie ka bërë të ditur se fatmirësisht gjendja e tyre është e mirë.

“Pesë anëtaret të Klinikës që janë të infektuar me koronavirus janë në gjendje të mirë. Dy janë në vetizolim, tri në Klinikën Infektive dhe prej tyre njëra ka rezultuar negative në dy rastet. Gjendja shëndetësore e tyre është e mirë”, tregoi Ajazaj-Berisha, raporton lajmi.net.

Ajo po ashtu ka bërë të ditur se pavarësisht mjeteve mbrojtëse që i përdor stafi mjekësor i Klinikës Infektive, ata prapë janë të rrezikuar, për vet faktin se kanë kontakte të vazhdueshme me pacientët që janë të prekur me koronavirus.

“Që prej momentit kur ka filluar paraqitja e rastit jemi duke u furnizuar në vazhdimësi dhe jemi mirë me masat mbrojtëse. Ne gjithmonë kemi thënë që në fillim, edhe përkundër shfrytëzimit të gjitha masave mbrojtëse personale, normal në asnjë moment nuk mundemi ta përjashtojmë mundësinë që të marrim këtë infeksion, kështu që ne jemi duke i marrë të gjitha masat që kjo dukuri të jetë sa më e pak. Ne jemi të vetëdijshëm që secili prej nesh mund të preket”, theksoi tutje Ajazaj-Berisha.

Në anën tjetër edhe Sali Ahmeti, infektolog, ka bërë të ditur se vetë fakti që secili prej stafit mjekësor është në kontakt për tetë orë me pacientët e prekur me koronavirus, janë në rrezik të preken edhe vet ata me COVID-19.

“Rrezikshmëria e stafit nuk largohet asnjë herë dhe kjo e gjithë varet nga afërsia me pacientët. Dhe çdo pjesëtar i stafit të Klinikës mund të jetë në rrezik, sepse gjatë tetë orëve janë në kontakt të afërt me pacientët”, theksoi infektologu Ahmeti.

Kujtojmë që në Kosovë deri më tani janë 184 persona të prekur me koronavirus, 30 të shëruar dhe 5 persona të vdekur.