• E mërkurë / Aug-05 07:21
  • Kontakt

Pse Koreja e Veriut nuk ka asnjë rast me koronavirus- Çfarë po bën Kim Jong-un?

Pse Koreja e Veriut nuk ka asnjë rast me koronavirus- Çfarë po bën Kim Jong-un?

dërsa virusi i koronës përhapet në të gjithë botën, Koreja e Veriut nuk raporton asnjë rast të vetëm. Si për dëshmi regjimi i Kim Jong Un provokon me teste të reja raketash. Por çfarë mund të bëjë Kimi kundër COVID-19?

Siç ndodh shpesh në Korenë e Veriut, kjo vlen edhe me krizën e Coronas: fakte të besueshme janë të pakta, në vend të kësaj qarkullon propagandë, supozime dhe thashetheme. Vetëm një gjë është e sigurtë: regjimi filloi të reagojë ndaj kërcënimit të padukshëm në fund të janarit, shumë përpara Evropës. Gazeta shtetërore Rodong Sinmum e përshkroi luftën kundër virusit si një çështje të “mbijetesës kombëtare”.

Sidoqoftë, më 13 mars, qeveria e Koresë së Veriut i tha Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) se nuk kishte në vend asnjë rast të vetëm të sëmundjes së re të mushkërive COVID-19 . Në të njëjtën kohë, Kina fqinje raportoi për mbi 80000 vetë të infektuar, dhe në Korenë e Jugut, në gjysmën tjetër të gadishullit të ndarë të Koresë ishin më pak se 8000 vetë.

As stërvitje, as fluturime

Në Korenë e Veriut ekziston sot ndalim hyrjeje dhe daljeje, trafiku ajror dhe hekurudhor janë pezulluar, shkollat dhe universitetet janë mbyllur. Të gjithë të huajt në vend u vunë nën një karantinë 30 ditore, madje edhe diplomatët nuk u përjashtuan nga kjo – dhe u lejohet vetëm të lëvizin në një masë shumë të kufizuar. Gjermania e largoi personelin e ambasadës së saj në fund të shkurtit.

As ushtria e gjithëpranishme e fuqisë së vetëdeklaruar bërthamore nuk është e përjashtuar nga masat. Për shembull, gjenerali Robert Abrams, komandanti i ushtrisë amerikane në Korenë e Jugut, raportoi më 13 mars se forcat e armatosura të Koresë së Veriut kishin “ndenjur të mbyllura për rreth 30 ditë” dhe “vetëm kohët e fundit kishin filluar stërvitjet rutinë”.

Si shembull, gjenerali amerikan citon Forcën Ajrore të Koresë së Veriut: “Ata nuk kanë ngritur asnjë avion për 24 ditë”. Ushtria amerikane është “mjaft e sigurt”, tha Abrams, se ka raste COVID-19 në Korenë e Veriut.

Trumpi i shkruan Kim Jong Un-it

Diktatura është përqendruar në kontrollin e plotë të brendshëm. Koreja e Veriut i dërgon një sinjal të qartë botës së jashtme se nuk dëshiron që askush t’i diktojë gjë: për shembull, në mars, pasi gjithnjë e më shumë vende raportuan rritjen e niveleve të infeksionit, vendi testoi katër raketa balistike në mënyrë demonstrative. Një ditë pas provës së tretë të raketave të Koresë së Veriut, në 22 mars tërhoqi vëmendjen një lajm i agjensisë shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut KCNA: KCNA raportoi për një letër personale të Presidentit amerikan Donald Trump drejtuar pushtetmbajtësit Kim Jong Un.

Sipas lajmit, Trumpi jo vetëm që ka ngulur këmbë në letër për një përmirësim të marrëdhënieve bilaterale, por ka propozuar edhe bashkëpunim në luftën kundër epidemisë. Shtëpia e Bardhë e konfirmoi letrën pa hyrë në detaje.

E vërteta ose gënjeshtra për Coronan

Në të gjithë botën (gjendja e 7 Prillit 2020, ora 9:30 e mëngjesit), janë infektuar ndërkohë më shumë se 1.3 milion njerëz, dhe pothuajse 75.000 pacientë kanë vdekur nga infektimi me Corona. Por deklarata zyrtare e regjimit të Phenianit nuk ka ndryshuar deri sot: zero raste të COVID-19 në Korenë e Veriut. Për këtë kanë dyshime shumë vetë. Midis tyre është edhe gazetarja amerikane Jean H. Lee. Ajo ka qenë rregullisht në Korenë e Veriut midis viteve 2008 dhe 2017. Nga viti 2011 deri në 2013, ajo ka kaluar shumë kohë në Phenian si korrespodente e huaj për agjencinë amerikane të lajmeve Associated Press.

Sot ajo drejton programin për Korenë në Qendrën Woodrow Wilson në Uashington. “Fatkeqësisht, aktualisht ka shumë pak të huaj në vend që mund të japin një panoramë më të mirë të asaj që po ndodh,” raporton Lee. “Është pothuajse e pamundur që të huajt të afrohen pranë një spitali për të parë se çfarë po ndodh atje”.

Lee është e bindur që ka raste me Corona. Ajo nuk i beson mohimit të qeverisë. “Përballë qarkullimit në kufirin e gjatë me Kinën, kjo është e vështirë për mua që ta besoj”. Ky kufi shtrihet në një distancë prej 1400 kilometrash. Sipas portalit me prestigj të Koresë së Veriut 38North, Koreja e Veriut i mbylli vendkalimet kufitare me Kinën në fund të janarit për udhëtarët dhe trafikun e mallrave. Vetëm një pikë kalimi është e hapur për importin e mallrave, nën rregulla të rrepta karantine.

Sidoqoftë, virusi ishte përhapur në Kinë prej dy muajsh para se të mbyllej kufiri- dhe duket me pak gjasa që ai të jetë ndalur në kufirin e Koresë së Veriut, fqinjit i cili ka nevojë urgjente për shkëmbime me Kinën.

Ndihma nga jashtë

Koreja e Veriut ka rreth 25 milion banorë. Po të konfirmoheshin dyshimet për një shpërthim të Coronas, sistemi shëndetësor do të përballej me një detyrë që nuk mund të realizohet pa ndihmë të jashtme. “Popullsia është shumë e ndjeshme ndaj sëmundjeve infektive për shkak të kequshqyerjes kronike”, thotë ish-korrespodentja në Korenë e Veriut, Jean H. Lee.

Më 26 shkurt, Ministria e Jashtme ruse tha se kishte dërguar 1500 kuti me teste në Korenë e Veriut. Organizatat e ndihmës si Mjekët pa Kufij (MSF) dhe Federata Ndërkombëtare e Shoqërive të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe (SNRF) kanë filluar gjithashtu dërgimet e ndihmave. Mallrat mjekësore siç janë dorezat mbrojtëse, maskat për fytyrën, pajisjet e provës dhe antibiotikët janë përjashtuar në mënyrë të qartë nga sanksionet e OKB-së. Sidoqoftë, çdo ndihmë duhet të aprovohet nga Komiteti përkatës i Sanksioneve të OKB-së.