Këtë e ka konfirmuar epidemiologu Aleksander Antonijeviq.
Pacienti 55-vjeçar ishte i shtrirë në Nish, ku ishte transferuar nga veriu i Mitrovicës, pasi i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore.
Ai është personi i dytë nga veriu i Mitrovicës që vdiq si pasojë e Covid-19.
Sipas Zyrës për Shëndetësi Publike në Mitrovicë të Veriut, që funksionon në kuadër të sistemit paralel, gjatë ditës së sotme janë shënuar edhe katër raste të tjera me koronavirus në komunat veriore.
Nga një rast është shënuar në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Deri më tash, sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë janë prekur 250 persona me COVID-19, prej të cilëve 52 janë shëruar ndërsa shtatë kanë vdekur.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës. E ka shpallur edhe “Gjendjen e emergjencës së shëndetit Publik”, ku shtetit i lejohet të përdor secilin resurs publik e privat për ta mposhtur virusin.
Koronavirusi ka prekur shumicën e vendeve të Europës përfshirë edhe vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi.
Koronavirusi nisi në Wuhan të Kinës ku fillimisht virusi ishte përcjell nga shtazës e më vonë kaloi edhe te njeriu. Ende s’është gjetur vaksina me të cilën do të parandalohej shpërndarja e virusit. Për t’u mbrojtur nga ky virus kërkohet të mos kini kontakte me njerëz, të mos qëndroni në ambiente të mbyllura dhe t’i kushtoni kujdes higjienës, duke përfshirë larjen e shpeshtë të duarve.
Deri më tash, shumica e të prekurve me koronavirus janë shëruar. Kanë pasur probleme vetëm të moshuarit dhe ata që kanë pasur edhe më herët probleme shëndetësore.