Sipas vendimeve të kësaj Ministrie, lejohet qarkullimi i nënshtetasve mbi moshën 16 vjeç, vetëm për 1 orë e gjysmë në ditë, sipas orarit të përcaktuar javor në bazë të shifrës së parafundit të numrit personal. Ndërsa për shtetasit e huaj vlen vendimi me numrin e fundit të pasaportës.
Në bazë të aneksit të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë për intervalet kohore të lejimit të lëvizjes së institucioneve qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës, lejohet lëvizja nëpër karantinë dhe ndërmjet karantinave 24 orë varësisht nga institucioni me kartën identifikuese të institucionit dhe me letërnjoftim.
Kështu presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka të drejtë lëvizjeje nëpër karantinë dhe ndërmjet karantinave 24/24, por mekanizmi me të cilin ai duhet të identifikohet është karta identifikuese e institucionit, në këtë rast të Presidencës.
Mekanizmi i identifikimit vetëm me kartën identifikuese të institucionit për lëvizjen 24 orë nëpër karantinë dhe ndërmjet karantinave vlen edhe për kryeministrin, për kryetaren e Kuvendit, për nënkryetarët e Kuvendit, për deputetët e Kuvendit, për kabinetin qeveritar, për gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, për avokatin e Popullit, për kryetarët e komunës përkatëse dhe për kryetarin e Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Ndërkaq përpos kartës identifikuese të institucionit, duhet të identifikohen edhe me letërnjoftim stafi esencial i presidentit, sipas vendimit të dërguar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dhe këshilltarët politikë të presidentit, kabineti i kryetares së Kuvendit, Administrata e Kuvendit, kabineti i kryeministrit dhe kabineti i ministrit përkatës.