Thaçi i shkruan për herë të tretë Kurtit, i kërkon sërish emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë

Thaçi i shkruan për herë të tretë Kurtit, i kërkon sërish emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë

v

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi i ka shkruar letrën e tretë më radhë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministrit në detyrë Albin Kurti.

Në letrën e tij të tretë drejtuar Kurtit, Thaçi i ka bërë të ditur se është duke pritur emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë.

Thaçi ka thënë se këtë veprim do ta ndërmarrë duke ndjekur të gjithë hapat kushtetutës, që sa më shpejtë të krijohet qeveria e re.

“Si President i Republikës së Kosovës do të ndërmarr këtë veprim duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës të kenë sa më shpejtë Qeverinë e tyre të re, sidomos në këtë situatë të pandemisë e cila kërkon një qeveri efikase dhe efektive me mandat të plotë kushtetutës”, ka shkruar presidenti në letrën e tij.

Thaçi i ka kërkuar Kurtit që të bëjë propozimin për kandidatin për kryeministër pa humbur kohë dhe në përputhje me nenin 95 të Kushtetutës dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.