Profesori i Filozofisë, Blerim Latifi ka thënë se qeveria e re e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës do të kryejë marrëveshjen finales mes Kosovës dhe Serbisë.
Latifi ka shkruar në Facebook se një qeveri e re nën drejtimin e LDK-së do të bëhet për administrimin e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi, raporton Gazeta Express.
“Një qeveri të re nën drejtimin e LDK- së, bëhet për ta kryer një punë të parë dhe të fundit: administrimin e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi. Se a do ta kemi këtë marrëveshje gjatë këtij viti, vështirë të thuhet, marrë parasysh trazirën globale që ka shkaktuar coronavirusi”, ka shkruar Latifi.
Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së me shumicë votash nga delegatët ka votuar pro një koalicioni të mundshëm me AAK-në dhe Nismës Socialdemokrate dhe komunitetet të propozuar nga kryetari i partisë, Isa Mustafa nëse i ofrohet mandati për formimin e qeverisë.
Në një komunikatë të LDK-së dje është njoftuar se nga 124 anëtarët e KP, 114 janë përgjigjur në pyetjen e Kryetarit Mustafa lidhur me formimin e qeverisë.
“Nga 124 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 114 anëtarë të KP, prej tyre 108 janë shprehur për (po), 6 janë shprehur kundër (jo) dhe 10 nuk janë përgjigjur”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Në bazë të kësaj, kryetari i LDK-së ka konstuar se ekziston vullneti i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së për një koalicion me AAK-në, Nismën dhe komunitetet.
Ndërkaq sot, Presidenti Thaçi i ka dërguar letrën e tretë Albin Kurtit, në cilësinë e shefit të Lëvizjes Vetëvendosje, duke ia kërkuar emrin për mandatarin.
Thaçi ka paralajmëruar Kurtin që do të ushtrojë mandatin e tij kushtetues për garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe sigurimin e emërimit të kandidatit/es për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Kosovës
Thaçi ka thënë se caktimin e mandatarit të ri do ta ndërmarrë duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues, që sa më shpejt të krijohet qeveria e re.
“…Do të ndërmarr këtë veprim duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës të kenë sa më shpejtë qeverinë e tyre të re, sidomos në këtë situatë të pandemisë e cila kërkon një qeveri efikase dhe efektive me mandat të plotë kushtetutës”, ka shkruar presidenti.