Humanisti, Halil Kastrati, i ka dalë në ndihmë Resmije Krasniqit, themelueses së qendrës “Hadër” në Prizren, gruas që në strehë mban dhjetëra persona me probleme në zhvillimin mental.
Krasniqi ata i mbanë me financa të saj, rrallë herë me përkrahje nga shteti apo donatorët. Këtë kohë të pandemisë ajo kishte mbetur në gjendje shumë të rëndë financiare e madje kishte edhe mungesa elementare.
Lajmi.net kishte raportuar pak ditë më parë lidhur me gjendjen e rëndë të Resmijes dhe të strehuarve në qendrën e saj. Resmija rrëfente se nuk po mund të gatuante, dhe se i ishin shterur të gjitha rezervat ushqimore, e madje edhe një punëtore ia kishte lënë punën.
Ai ka qëndruar në Qendrën “Hadër”, ku edhe ka dërguar ndihma ushqimore për të strehuarit aty. Kastrati përveç në Prizren, ka ndihmuar në të gjitha qytetet e Kosovës me ndihma ushqimore gjatë kësaj periudhe të pandemisë, për çka ka marrë nje vlerësim maksimal nga qytetarët dhe krerët politik.