Luigj Imeri emërohet ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut

Luigj Imeri emërohet ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut

Bordi i përkohshëm i KEK-ut, ka njoftuar se në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur më 24 prill me vendim unanim ka emëruar Luigj Imerin në pozitën e ushtruesit të detyrës së  kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Në një njoftim për media të kësaj koorporate bëhet e ditur se ky vendim është marrë bazuar në përgatitjen profesionale dhe eksperiencë e Imerit.

” Imeri ka studiuar në Universitetin Politeknik në Tiranë (1993-1999) dhe ka titullin; Inxhinier i diplomuar i Elektronikës duke vazhduar me studimet në Universitetin Amerikan të Kosovës (2006-2007) për Lidership dhe Menaxhim, nga ku merr edhe titullin: Magjistër i Shkencave për Shërbime të Menaxhimit. Ai gjithashtu ka ndjekur dhjetëra programe trajnuese dhe zhvillimore profesionale brenda dhe jashtë vendit, të gjitha të ndërlidhura me punën dhe operimet në KEK”.

“Bordi i përkohshëm ka marrë parasysh edhe eksperiencën mbi 20 vjeçare në KEK të z. Imeri, i cili ka mbi 15 vite që ka ushtruar pozita menaxheriale në këtë kompani. Në vitin 2004 ai për herë të parë ishte caktuar në pozitën e  Menaxherit të Departamentit të TC Kosova B, në kuadër të  Divizionit të Gjenerimit, ndërsa nga Janari i vitit 2012 pas një performance të shkëlqyer ishte caktuar në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv në Divizionin e Termocentralit Kosova B, nga ku me 24.04.2020 është emëruar UD. Kryeshefit Ekzekutiv të KEK sh.a”, bën të ditur KEK-u, transmeton Klan Kosova.