Xhamitë në Iran kanë qenë të mbyllura nga fillimi i marsit, prej kohës kur filluan të shtoheshin me të madhe rastet e koronavirusit. Megjithatë, Rouhani njoftoi se xhamitë do të rihapen nga e hëna në 132 rajonte administrative, që përbëjnë rreth një të tretën e tërë territorit të shtetit.
“Distancimi socila është më i rëndësishmë se lutjet kolektive”, shtoi ai, duke thënë se Islami e cilëson sigurinë si të detyrueshme, ndërsa falja në xhami është vetëm e rekomanduar, sipas tij.
Rajonet ku do të hapen xhamitë vlerësohen si vende me rrezikshmëri të ulët të përhapjes, tha presidenti Rouhani gjatë një takimi virtual me task-forcën shtetërore për trajtimin e virusit, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Ai gjithashtu tha se ky komision është duke e shqyrtuar mundësinë e rihapjes së shkollave nga 16 maji në mënyrë që mësimi të zhvillohet për një muaj para pushimeve verore.
Deri më tani, në Iran janë shënuar 6,150 viktima dhe mbi 96 mijë të infektuar me koronavirus. Republika islamike është shteti më i prekur nga virusi i ri në Lindjen e Mesme.