Deputetja e AAK-së: Nëse nuk respektohen masat, të kthehemi në izolim

Deputetja e AAK-së: Nëse nuk respektohen masat, të kthehemi në izolim

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, njëherësh deputete e AAK-së, Albena Reshitaj, ka bërë thirrje që të respektohen masat mbrojtëse dhe rekomandimet e IKSHPK-së që Kosova të mos goditet nga një valë e dyta e virusit COVID-19.

“Të dashur qytetarë, mos respektimi i masave mbrojtëse dhe rekomandimeve tjera të lëshuara nga IKSHPK-ja ka bërë që vendi të përfshihet në një valë të re të të infektuarve me Covid-19. Kjo pakujdesi sa institucionale aq edhe qytetare ka bërë që situata me Covid 19 në vend të kualifikohet shumë e rëndë madje nga fillimi i pandemisë e deri më tani është pikërisht java që lëmë pas e cila shënoi ndër javët me numër me të lartë të të infektuarve me Covid-19. Vetëm në javën e kaluar janë evidentuar 508 persona të infektuar”, ka shkruar ajo.

Reshitaj, në reagimin e saj, ka thënë se janë 1,200 qytetarë aktiv me koronavirus, duke thënë se është përgjegjësi e institucioneve shëndetësore që të parandalojnë përhapjen e infeksionit. Ajo ka thënë se duhet shtuar urgjentisht monitorimit për respektimin e masave.

“Derisa tashmë janë mbi 1200 qytetarë të infektuar aktiv me Covid -19 dhe me një gjendje të rënduar në Klinikën Infektive në Prishtinë ku aktualisht janë të shtrirë mbi 120 pacientë pozitiv me Covid 19, është më shumë se kurrë përgjegjësi në radhë të parë e institucioneve përgjegjëse shëndetësore që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të parandaluar përhapjen e infeksionit. Urgjentisht duhet shtuar monitorimi dhe rritja e kapaciteteve për monitorimin e masave të rekomanduara nga IKSHPK-ja ndryshe rrezikojmë të përballemi me pasoja”, ka thënë Reshitaj.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, ka thënë poashtu që duhet respektuar masat si qytetarët, ashtu edhe institucionet, që të mos vijë deri te mbyllja e serishme.

“Për të mos ardhur përsëri te izolimi e kufizimi me masa rigroze me pasoja edhe më të mëdha në ekonomi e mirëqenie, ne duhet bërë sërish bashkë të gjithë qytetarë e institucione që të respektojmë rekomandimet, të zbatojmë masat e parapara, të ruajmë shëndetin e njëri tjetrit. Në të kundërtën rrezikojmë të kthehemi në pikën zero, vendi detyrohet të kthehet në aplikimin e masave të izolimit e kufizimit të lëvizjes. Si kryetare e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dhe si përfaqësuese e juaja në Kuvendin e Kosovës, bëjë thirrje të besojmë që Covid-19 është virus që rrezikon jetën tonë dhe është momenti i fundit i kthesës që t’i respektojmë udhëzimet e MSH-së, IKSHPK-së. Nuk duhet harruar, panik JO por kujdes PO!”, ka shkruar ajo.