Nesër hapet Aeroporti i Shkupit dhe ai i Ohrit

Aeroporti i Shkupit dhe ai në Ohër prej nesër do të jenë të hapur, ndërsa kompanitë e fluturimeve do të njoftojnë si do të jetë orari i fluturimeve.

Tre muaj e gjysmë pasi ishin të mbyllur, kompania turke TAV, që menaxhon dy aeroportet ka vendosur regjim të posaçëm të distancës fizike në mes udhëtarëve, dezinfektim dhe matje të temperaturës.

Nga e mërkura, 1 korrik, në ndërtesat e aeroporteve do të mund të hyjnë vetëm udhëtarët, duke i respektuar protokollet e posaçme korona – distancë e obligueshme, dezinfektim dhe matje e temperaturës trupore. Nën këto kushte do të vazhdojë komunikacioni ajror në vend, i ndërprerë në mes të muajit mars kur gradualisht filluan të anulohen linjat, duke filluar nga Italia dhe vendet tjera, ku u përhap virusi korona.

“Nga ajo që na informoi drejtori mund të shihet se vërtetë plotësisht janë respektuar të gjitha protokollet dhe ajo që është e rëndësishme për ne është se nga dita e mërkurë, udhëtarët dhe të gjithë ne duhet t’i respektojmë të gjitha protokollet me qëllim që të mos vijmë në situatë ku do të përhapet infeksioni edhe këtu”, theksoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski.

Fluturimet e para nga Aeroporti i Shkupit nesër fillojnë me destinacionin për në Bremen (6:00), Larnaka (6:15), Stokholm (6:30) dhe Këln (6:45) ndërsa do t’i realizojë kompania ajrore Viz Er.

Që atje kumtojnë se aterimet e para në aeroportin e Shkupit pasnesër janë në orën 08:50 nga Stambolli (Turkish erlajns) dhe në orën 9:20 gjithashtu nga Stambolli me “Pegasus”.

Kompania e fluturimeve “Viz air” njoftoi se ka destinacione të reja, ndërsa janë hequr disa nga të vjetrat, si për shembull fluturimi për në Suedi, për shkak të masave të posaçme që vlejnë për hyrje në këtë vend skandinav. Si do të trajtohen njerëzit që arrijnë nga Maqedonia e Veriut, ende nuk është saktësuar.

“Gjatë javës së kaluar kemi biseduar me përfaqësues të Këshillit për Shëndetësi në Komisionin Evropian, të cilëve ua prezantuam gjetjet, statistikat dhe analizat tona. Kemi caktuar takime shtesë për nesër dhe të enjten. Ndërsa gjatë ditës së sotme pres që ta dëgjoj edhe ministrin grek të shëndetësisë në lidhje me paralajmërimet se është e mundur të hapet vendkalimi kufitar. Për momentin nuk kam informacione të sakta”, tha ministri i shëndetësisë Venko Filipçe.