Rama tërheq publikisht padinë ndaj Ramush Haradinajt

Rama tërheq publikisht padinë ndaj Ramush Haradinajt

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama publikisht ka njoftuar se do të tërheq padinë për shpifje që i ka bërë ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Rama tha se e kishte njoftuar më parë kreun e AAK-së, se gjatë konferencës për shtyp pasi të përfundojë të gjitha takimet do ta tërhiqte edhe padinë e bërë kundër tij.

Ai tha se nuk e di se çfarë roli mund të ketë kjo padi në marrëdhëniet mes tyre, por se padia edhe zyrtarisht do të tërhiqet.

“E kam njoftuar që nuk do të bëj komunikime me mediat të vazhdueshme në çdo derë, por do të bëj një konferencë për shtyp, ku do ta tërheq padinë. Do ta tërheq padinë jo se është e vogël për mua, por sepse është shumë më e madhe ajo që sot duhet të bashkoj të gjithë. Nuk e di çfarë roli ka tërheqja e padisë për rolet mes nesh, për më tepër me padi e pa padi, me shpifje e pa shpifje, Ramush Haradinaj nuk është kryeministri, politikani, por është një prej figurave historike, nga ai vend nuk mund ta heq askush, as ai veten nuk mund të largohet nga ai vend, sado kryeministër i keq që të jetë. Padia do të tërhiqet, natyrisht edhe zyrtarisht”, tha Rama.

I pari i Qeverisë së Shqipërisë, tha se ftesa për takim drejtuar Ramush Haradinajt ishte për të biseduar si me të gjithë liderët e tjerë, për diçka shumë më madhore.

“Megjithatë, Ramushit i kam kërkuar takim si të gjithë të tjerëve, për të shkuar për ta vizituar në selinë e tij, aspo në shtëpinë e tij apo selinë e tij kudo që ta dëshironte, siç pata kënaqësinë ta vizitoja edhe Isa Mustafën sot në shtëpinë e tij. Si paditës, që shkon tek i padituri, besoj që nuk ishte ai që ulej duke më hapur derën, për më tepër që do të doja ta takoja, për të diskutuar për diçka shumë më të madhe se unë se Ramushi e se të gjithë ne”, tha Rama.

Në janar të këtij viti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë padi ndaj homologut të tij Ramush Haradinajt, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Padia e Edi Ramës, e cila përmban mbi 30 faqe, pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës, për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve dhe për të cilën kërkon kompensim të dëmit.

Haradinaj deklaroi mbrëmë se është shprehur një interesim për takim me Edi Ramën por vet ish-kryeministri ka refuzuar.


“Është e pamundur me u takua i padituri me paditësin. Kjo s’ka kurrfarë logjike. Nuk ndihem mirë që si i paditur të takohem me askënd e as me zotin Edi Rama”, tha ai, përcjell Telegrafi.

E pas këtyre fjalëve takimi mes Ramës e Haradinajn nuk u zhvillua.