Kryeministrja serbe thotë ministri gjerman nuk solli asnjë dokument për Kosovën

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, duke folur për vizitën e ministrit të Jashtëm gjerman në Beograg, Zigmar Gabriel, tha se ai nuk solli...

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, duke folur për vizitën e ministrit të Jashtëm gjerman në Beograg, Zigmar Gabriel, tha se ai nuk solli asnjë dokument, duke shtuar që marrëveshja juridikisht e obligueshme me Kosovën, është në kompetenca të Beogradit.

“Ai na pyeti se cilat janë planet për të ardhmen e dialogut mes Kosovës dhe Beogradit, ai nuk solli asnjë dokument, ne diskutuam, në mes të gjithash, për dialogun mes dy vendeve dhe normalizimin e marrëdhënieve”, tha Brnabiq.

Ajo shtoi se do të ishte e pakuptimtë nëse Gabriel do të sillte ndonjë dokument për faktin që Prishtina dhe Beogradi po flasin për këto çështje.

“Është një çështje mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe nuk është e nevojshme që dikush të sjellë ndonjë dokument në Serbi”, tha kryeministrja serbe.

Brnabiq shtoi se dialogu dhe e ardhmja  e tij varet vetëm nga pala serbe.

“Varet vetëm nga ne, ata mund të na pyesin se cilat janë propozimet për të ardhmen, por kjo varet vetëm nga ne”, shtoi ajo.

“Deklaratat e Ministrit gjerman në Kosovë është keqinterpretuar se Serbia duhet ta njohë Pavarësinë e Kosovës, ky është opinioni i tij, ai është një ministër I jashtëm I një shteti që ka njohur Pavarësinë e Kosovës, mirëpo janë edhe pesë të tjera që nuk e kanë bërë këtë, Serbia nuk duhet ta njoh Pavarësinë e Kosovës, dhe nuk do t’a bëjë këtë”, tha Brnabiq.