OBSH: Afro dy milionë njerëz të infektuar me Covid-19 për një javë

Pothuajse dy milionë raste me koronavirus u diagnostikuan në të gjithë botën javën e kaluar – numri më i lartë që nga fillimi i pandemisë.

Shifrat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tregojnë se 1.998.897 raste janë regjistruar në një margjinë shtatë ditore, të mbaruar më 20 shtator. Pothuajse një e treta (650,000) u shfaq në Indi, shkruajnë mediet britanike, transmeton lajmi.net.

Totali shënon një rritje prej gjashtë përqind në një javë, si dhe është “numri më i lartë i rasteve të raportuara në një javë të vetme që nga fillimi i epidemisë”, tha agjencia e KB.

Por vdekjet javore nuk janë rritur, duke qëndruar në rreth 40,000 që kur ato arritën në 51,000 gjatë ditëve më të errëta të krizës në prill.

Që kur koronavirusi u shfaq për herë të parë në qytetin kinez të Wuhan në fund të vitit të kaluar, ai ka infektuar pothuajse 31 milionë njerëz në mbarë globin.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se virusi korona ka vrarë gati 960,000 njerëz, sipas OBSH-së.