Nënshkrimi i deklaratës së përbashkët, respektivisht aneksit të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit mes Malit të Zi dhe Kosovës, është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të përgjithshme mes dy vendeve, kanë njoftuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Malit Të Zi.
Në deklaratë thuhet se ka mbetur mundësia për korrigjime eventuale teknike të kufirit.
“Në deklaratën e nënshkruar është paraparë formimi i një grupi të përbashkët punues për përcaktimin e kufirit, gjë që në bazë të Nenit 7 të Marrëveshjes paraqet fazën përfundimtare të procesit demarkacionit dhe lë mundësi për korrigjime eventuale teknike, me rastin e demarkimit të kufijve në teren”.
“Me zgjidhjen e çështjes së demarkacionit edhe me një vend tjetër fqinj, Mali i Zi është konfirmuar si një anëtar i përgjegjshëm dhe i besueshëm i NATO-s”.
“Duke mbrojtur interesat e saj, Mali i Zi në vazhdimësi i kontribuon stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit, gjë e cila, ndër të tjera, është në përputhje me Strategjinë e miratuar së fundmi të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në deklaratën e MPJ të Malit të Zi.