Analistët kritikojnë shkarkimet e Hotit: Të dëmshme dhe me motive politike

Analistët kritikojnë shkarkimet e Hotit: Të dëmshme dhe me motive politike

Kryeministri Avdullah Hoti shkarkoi dje drejtorin e Policisë, të Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës. Për të parin tha se tregoi performancë të dobët, ndërsa për dy të tjerët kreu i ekzekutivit nuk dha ndonjë arsye.

Vendimet e këtij të fundit, analistët politikë po i shohin me skepticizëm, meqë sipas tyre ka motivacion politik. Ndër tjera, theksojnë se vazhdimësia e logjikës së shkarkimeve nga çdo kryeministër i ri, i dobëson institucionet shtetërore.

Njohësi i çështjeve politike, Krenar Shala thekson se nuk është mirë që të shkarkohen persona, veç pse në krye të detyrës vijnë kryeministra të ri.

Ai për KosovaPress thotë se vendimet e kryeministrit Hoti për tri shkarkimet e djeshme kanë motivacion politik.

“Mendoj që vendimi i fundit i kryeministri Hoti për shkarkimin e udhëheqësve të tri institucioneve shumë të rëndësishme të administratës shtetërore mendoj që ka motivacion politik, për shkak se ne nuk po e dimë se për çfarë arsye janë dorëhequr. Sepse është shumë me rëndësi që të ketë vazhdueshmëri institucionale nga ana e administratës. Pra, pa marrë parasysh se kush vie në pushtet është shumë me rëndësi që udhëheqësit e sektorëve të ndryshme të administratës të mbahen përgjegjës për punën e tyre. Pra, të mos shkarkohen veç pse ka ardhur një kryeministër i ri, sepse kjo e dëmton punën e këtyre institucioneve”, thekson ai.

Vendime të tilla, siç thotë Shala, u japin sinjal të keq edhe personave të cilët pretendojnë të ardhmen të udhëheqin drejtori të tilla.

“Ju jep sinjal të keq edhe atyre personave që po pretendojnë një ditë t’i udhëheqin këto institucioneve. Që ata domosdoshmërish nuk do të jenë në krye të institucioneve sepse edhe nëse punojnë mirë, në momentin që vjen një kryeministër tjetër, atëherë ata do të shkarkohen”, shton Shala për KosovaPress.

Njohësi i çështjeve politike, Rasim Alija thotë për KosovaPress se shkarkimet e djeshme nga ana e kryeministrit Avdullah Hoti, janë mesazh për të treguar se i njëjti nuk është as asistent, as qeveri e lodhur.

“Shkarkimet e djeshme i kanë dy dimensione. I pari, është një demonstrim force nga kryeministri Hoti. Një lloj mesazhi për të gjithë zërat edhe nga opozita edhe për opinionin publik, që e kanë quajtur qeverinë Hoti të lodhur, që nuk ka fuqi për të marrë vendime e që është asistent i Isa Mustafës. Me këtë Hoti tenton të tregojë se nuk është as asistent, as qeveri e lodhur e që merr vendime. Dimensioni i dytë i shkarkimeve, është vazhdimësia e logjikes së shkarkimeve me ardhjen e kryeministrit të ri qeverisë së re”, thekson ai.

Të tri këto shkarkime, sipas Alijat, janë nga institucionet themelore në strukturën e shtetit. Ai thekson se vazhdimësia e logjikës së shkarkimeve nga çdo kryeministër i ri, i bën institucionet e dobëta së brendshmi.

“Të tria shkarkimet janë nga institucione themelore në strukturën e shtetit. Si të tilla pa marrë parasysh që emërimet vijnë nga kryeministri, këto institucione janë të pavarura në punën e tyre. Vazhdimësia e logjikes së shkarkimeve nga çdo kryeministër i ri, i bën institucionet te dobëta së brendshmi, duke u a hequr memorien institucionale, e së jashtmi e rëndon stabilitetin demokratik të institucioneve. Mbi të gjitha duke vazhduar e njëjta logjik e shkarkimeve nga secila qeveri, nuk mund të besohet as arsyeja që shkarkimet e tilla kanë për qëllim ç’kapjen e shtetit e ngritjen e përformances. Pra, detyrimisht krijohet percepcioni që shkarkimet e tilla janë të natyrës politike”, shton ai për KosovaPress.

Për më tepër, analisti politik, Rasim Alija thotë se shkarkime të tilla mund ta shtynë hyrjen e PDK-së në qeveri.

“Këto shkarkime, vetëm mund ta shtyjnë hyrjen e PDK-së në qeveri, dhe ndërrimin e qasjes karshi LDK-së, por jo domosdoshmërish edhe rrëzim të qeverisë. Po ta votonte PDK një mocion mosbesimi si kundërvënie ndaj këtyre shkarkimeve, vetëm do ta faktonte që të shkarkuarit kanë qenë emërime politike në kohen e qeverisjes nga PDK, dhe do i arsyetonte shkarkimet e Hotit”, thekson Alija.

Në vend të Rashit Qalajt, Hoti ka emëruar si ushtrues detyre, Samedin Mehmetin.

Për shkarkimin e Qalajt ka pasur reagime të ashpra nga Partia Demokratike e Kosovës, duke e akuzuar Hotin se po tenton të kap shtetin dhe gjithashtu shkarkimi i tij është lidhur me arrestimin e Haki Rugovës.