Sulmuesi i Stokholmit i adresohet sot gjykatës

Një shtetas uzbek, i cili ka pranuar se ka kryer një sulm vdekjeprurës vitin e kaluar në Stokholm, do t’i adresohet sot gjykatës në kryeqytetin suedez

Rakhmat Akilov, 40 vjeç, akuzohet për terrorizëm.

Më 7 prill, ai ka përplasur kamionin për një turmë njerëzish, duke vrarë pesë veta dhe plagosur dhjetë të tjerë.

Akilov, të cilit i është refuzuar kërkesa për azil në Suedi në vitin 2016, ka shprehur besnikëri ndaj grupit militant Shteti Islamik.

Në seancën dëgjimore të 13 shkurtit, avokati i Akilovit ka thënë se ai ka dashur të shkaktojë “frikë” dhe të nxjerrë Suedinë nga koalicioni që udhëheq SHBA-ja kundër grupit militant Shteti Islamik.

Suedia, njëri nga vendet më të sigurta në Evropë, ka rreth 70 ushtarë në veri të Irakut që ofrojnë trajnime, në kuadër të koalicionit shumëkombësh.