Ende e paqartë se kush do ta udhëheq fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë

Faza e re e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, e cila pritet të përmbyllet me një marrëveshje reciproke ende nuk dihet qartë se nga kush do...

Faza e re e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, e cila pritet të përmbyllet me një marrëveshje reciproke ende nuk dihet qartë se nga kush do të udhëhiqet.

Edhe pse është thënë se kjo fazë do të udhëhiqet nga presidenti Thaçi, Qeveria e Kosovës ende nuk ka një vendim zyrtarë për këtë.

Kështu ka thënë udhëheqësi i delegacionit teknik të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Avni Arifi.

Ai gjatë raportimit në Komisionit e Punëve të Jashtme nuk ka treguar as nëse qeveria është e gatshme të udhëheq këtë dialog, shkruan lajmi.net.

“Këtë pyetje duhet bërë në Kuvend  dhe për zërat që ai të udhëhiqet nga Presidenti nuk jam në  dijeni që ka një vendim deri tash nga Qeveria që Presidenti ta udhëheq dialogun”, ka thënë Arifi.

Ai  gjatë raportimit foli edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ku tha se do të themelohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Por, që ky nivel i bisedimeve të udhëhiqet nga presidentet e dy vendeve e ka thënë edhe vet presidenti Thaçi. Ai kishte propozuar që në këtë fazë të ketë një pjesëmarrje gjithëpërfshirëse të spektrit politik e shoqërisë civile.

Takimi i radhës në Bruksel mes dy ekipeve teknike do të mbahet më 26 shkurt.