KONGRESI QË BËRI HISTORINË
Po mbushen gati 112 vjet, që Kongresi i Manastirit 1908, u fut si një ndër datat më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Shqiptarët kishin bërë shumë përpjekje të vazhdueshme lidhur me kauzën shqiptare, që ishte verdikti më i madh se ky popull kishte vazhduar ëndrrën shekullore, bërjen e Shqipërisë shtet të pavarur dhe sovran.
Sa herë që përmenden shqiptarët, dhe gjuha shqipe mendja na shkon te dëshmia e parë “Formula e pagëzimit” e Pal Engjëllit 1462, libri i parë shqip “Meshari” i Gjon Buzukut 1555, fillimet e Rilindjes Kombëtare 1836, Kongresi i Manastirit 1908, dhe Kongresi i Drejtshkrimit 1972, të cilat hynë në historinë e popullit shqiptar si datat më të rëndësishme për shkrimin e gjuhës shqipe dhe konsolidimin e popullit shqiptar.
Përhapja e shkollave shqipe dhe mësimi i gjuhës shqipe, si dhe zhvillimi i kulturës kombëtare në përgjithësi shtruan nevojën e caktimit të një alfabeti të vetëm. Rilindësit me të drejtë e shihnin mungesën e një alfabeti të njejtë të gjuhës shqipe jo si një problem gjuhësor e kulturor, por edhe si një çështje politike, një shenjë ndasie, që pengonte bashkimin e shqiptarëve. Zgjidhja e saj do të ndihmonte si në lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës e letërsisë shqipe, ashtu edhe në konsolidimin e unitetit kombëtar dhe të bashkimit politik të popullit shqiptar. Vendosja e një alfabeti të njejtë të gjuhës shqipe u përgatit gjatë një epoke të tërë të Rilindjes, falë veprimtarisë krijuese në lëmin e gjuhësisë dhe të letërsisë të brezave të tërë të iluministëve shqiptarë, gjuhëtarë, shkrimtarë, poet e publicistë.
Sundimit të egër të Perandorisë Osmane po i vinte fundi gradualisht. Patriotët e të gjithë Vilajeteve kryesore tashmë kishin marrë vendim, që në Manastir të tubohen gjithë intelektualët shqiptarë, për të vendosur për një alfabet të përbashkët për gjithë shqiptarët. Përdorimi i shumë alfabeteve nga shqiptarët kishte shtruar nevojën e ngutshme që në Manastir të vendosin për një alfabet të unik për të gjithë shqiptarët. Miratimi i Alfabetit të Stambollit i krijuar nga Sami Frashëri, nuk arriti ta zgjidhte përfundimisht çështjen e alfabetit, sepse Alfabeti i Stambollit u përhap vetëm në Shqipërinë e mesme dhe të jugut, ndërsa në Shqipërinë e veriut përdoreshin tri alfabete të tjera për shkrimin e shqipes ai i shoqërisë “Bashkimi” ai “Agimi” dhe alafbeti i shkrimtarëve të veriut që përdorej nga klerikët katolikë.
Vepra e Kongresit të Manastirit i qëndroi kohës u bë pjesë e pandarë e kulturës shpirtërore të kombit shqiptar. Kjo u bë e mundur sepse të gjithë patriotët e mbledhur kishin marrë përsipër të zgjidhnin një nga detyrat më të mëdha të kohës për kombin shqiptar.
Struktura e Kongresit të Manstirit kishte mbledhur ajkën e intelektualëve dhe me një kryesi e komision që do ti udhëhiqte ditët e Kongresit për zgjidhjen e një alfabeti. Kongresi zgjodhi Mit'hat Frashërin kryetar të Kongresit, nënkryetar Luigj Guarkuqin, dhe sekrtar Hilë Mosin të cilët pas shumë përpjekjeve diskutuan për tri pika 1. A do të adaptohet njëri ndër tre alafabetet kryesore dmth alfabeti “Bashkimi” apo ai “Agimi” 2. A do të bëhet një kombinim i tyre tre alfabeteve 3. A do të lihen menjëanë këto tre alfabete dhe të krijohet një i ri.
Në Kongres morën pjesë të gjithë shqiptarët pa dallim feje, të cilët ishin mbledhur për një qëllim të vetëm, i cili ishte zgjidhja e një alfabeti të përbashkët për të gjithë shqiptarët.
Meritat më të mëdha për bashkimin e tre alfabeteve patjetër i ka pasur klubi “Bashkimi” me shtytjen e Gjergj Fishtës.. Kjo vërehet kur ai del në foltore duke i'u drejtuar të gjithëve se: S'ka ardhur të mbrojë asnjë alfabet, por të mbrojë një alfabet të përbashkët.
Kongresi i Manastirit me atë që bëri, duke përzgjedhur një alfabet të ri, të vetëm pra alfabetin latin jo vetëm që i mundësoi shqiptarëve të kenë një alfabet të përbashkët por njëkohësisht u zgjodh njëherë e mirë kjo çështje kulturore duke marrë shqiptarët drejtimin e popujve perëndimorë dhe duke shmangur ndikim ortodoks të kishës bizantine greke, si dhe bashkimin e lindjes e të orientit: një komb, një gjuhë, një abece manastirase e cila ndriti historinë e popullit tonë. Ne na mbetet veëm që të bëjmë edhe aktin tjetër, aktin e bashkimit kombëtar, të cilët rilindësit tanë të bekuar e kanë pasur ideal, por nuk arritën ta realizonin.
Po e përfundoj këtë shkrim me thirrjen e Kryetarit të Kongresit të Manastirit dhe nënkryetarit të Komisionit të Alfabetit të Gjuhës shqipe, i madhi Mit'hat Frashëri: “ Duhet të flasim e të shkruajmë shqip, se gjuha është rrojtja dhe vdekja e kombit”
shkruan: Shefat Ademi