“Asnjëri nga të akuzuarit e UÇK-së nuk e ka për qëllim të ikë dhe të ndikoj tek dëshmitarët”

Dy zhvillime të rëndësishme kanë ardhur nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë.

Është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj ndaj Sali Mustafës, derisa prokurori i Specializuar i Dhomave të Specializuara në Hagë, ka kërkuar që procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të nis verën e vitit 2021, ose më së largu në shtator të këtij viti.

Lidhur me këto zhvillime ka folur avokati Skender Musa.

Musa në një intervistë për Klan Kosova, ka thënë se ky afat është i shkurtër për mbrojtjen të akuzuarve që të përpunojë materialin lidhur me rastin.

Ai tha se prokuroria nuk ua ka dorëzuar mbrojtjes materialin e plotë.

“Prokuroria Speciale e Dhomave të Specializuar të Gjykatës së Hagës nuk ua ka dorëzuar mbrojtjes të gjitha provat dhe mund të them se si prokurori gjatë hetimit pesë vjeçar janë të njoftuar me shkresat e lëndës, provat, dëshmitarët dhe gjitha shkresat e lëndës “.

“Në anën tjetër mbrojtësit e të akuzuarve nuk janë të pajisur as tash me të gjitha provat dhe është një afat i shkurtër, dhe është një afat i shkurtër sepse sipas informacioneve që po qarkullojnë bëhet fjalë për një material prej 43 mijë faqesh, dhe një numër prej 150 dëshmitarësh që kanë me u dëgjuar “.

“Është shumë e vështirë që mbrojtja të përpunoi të gjithë materialin dhe të japë mbrojtje efikase. Afati për vitin 2021 është i shkurtër, por edhe afati për 2022 është afat i gjatë, sepse siç po shihet sipas aktakuzave është rrezik që të akuzuarve të mos u ndërpritet paraburgimi, apo të pakten disa prej tyre .Në këtë drejtim kërkesa e mbrojtjes është më e arsyeshme”.

Avokati Musa theksoi se mosdorëzimi i materialit nga ana e Prokurorisë së Shtetit, është shkelje.

“Unë shpresoj që shumë shprejt Prokuroria e Shtetit ta dorëzoj sa më shpejtë materialin, sepse me mosdorezimin e materialit, ajo shkelë bën shkelje të Ligjit për Dhomat e Specializuara, Kodit të Procedures Penale të Kosovës por edhe Konventës Evropiane dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara. Ka qenë obligim i prokurorisë që i gjithë materiali të përkthehet në gjuhen që e kuptojnë të akuzuarit, sepse gjuha juridike në gjuhen angleze është e rëndë për ta kuptuar. Ka qenë obligim i tyre që nga fillimi i Gjykatës Speciale që çdo material të iu jepet në gjuhen shqipe apo në gjuhen që ata e flasin apo kuptojnë.Pra, në këtë rast Prokuroria Speciale ua ka shkelur të gjithë të akuzuarve të drejtata themelore të njeriut’.

Sipas tij procesi ndaj ish-katërshes së UÇK-së mund të jetë i ndikuar nga politika dhe nga fuqitë e mëdha botërore.

“Prokurorët në të gjitha sistemet e mbrojnë aktakuzën. Dhe gjithmonë duan të marrin më pak kohë që të kryen punën e tyre dhe të vërtetojnë aktakuzën. Pa dyshim që Prokuroria Speciale dhe Dhomat e Specializuara që veprojnë në Hagë, janë të varur nga Këshillit i Evropës, por edhe fuqitë e mëdha të botës si Rusia apo edhe Kina”.

“Mund të jetë edhe politike që sa më shpejtë të përfundoj gjykimi i ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe nëse mbrojtja dhe të akuzuarit nuk përgatiten si duhet atëherë ka mundësi që të fitoj pala akuzuese”.

Skender Musa shtoi se asnjë nga të akuzuarit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk ka për qëllim të ikë dhe as të ndikoj tek dëshmitarët.

“Por unë nuk besoj që gjyqtari mund ta caktojë një afat që e ka propozuar prokurori.Kjo është kopje e dispozitave ligjore.Në secilen vend ku vepron drejtësia, parashihet edhe ikja të dyshuarve, fshehja e provave apo dëshmive.Por, unë nuk mendoj që asnjë lider i UÇK-së, por edhe z. Mustafa nuk mund të ndikojnë tek dëshmitarët”.

“Sepse sipas informacioneve shumica nga ata janë jashtë shtetit.Por, nuk ka pasur as edhe një rast apo dyshim që është tentuar që të ndikohet tek dëshmitarët.Pas publikimit të dosjeve të Speciales janë ditur edhe emrat e dëshmitarëve.Nuk ka pasur asnjë tentim nga këta persona që të ndikohet tek ata”.

Ndër të tjera avokati theksoi se caktimi i paraburgimit ndaj tyre po bëhet për ta arsyetuar dështimin e Gjykatës Speciale.

Sipas tij pasi kanë dështuar me “Shtëpinë e Verdhë”, kanë dal aktakuza të tjera ndaj ish- krerëve të UÇK-së.