Haradinaj takon Pacollin, pak ditë pasi ky shfaqi pakënaqësi për autostradën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka zhvilluar një takim sot me zëvendësin e tij të parë, dhe ministrin e Jashtëm Behegjet Pacolli...

Haradinaj ka thënë se kanë zhvilluar një takim përmbajtjesor pune, duke u shprehur se është kënaqësi të kesh një bashkëpunëtor si Pacolli.

“Mëngjesin e sotëm, me zëvendëskryeministrin e parë, Behgjet Pacollin, zhvilluam një takim përmbajtjesor pune. Është kënaqësi të kesh bashkëpunëtor energjik, me të cilin ndajmë vizionin e përbashkët që mos të ndalemi përballë sfidave dhe të punojmë për mirëqenien e qytetarit”, ka shkruar kryeministri Haradinaj në facebook.

Ditë më parë zëvendëskryeministri Pacolli kishte kritikuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e trasesë së autostradës së Gjilanit. Madje ai kishte thënë se ky ndryshim ishte bërë kur ai ka qenë jashtë vendit duke u shkelur edhe marrëveshja që kishte me Haradinajn para hyrjes në koalicion.

Ndërrimi i trasesë së autostradës privon qasjen e një pjese të madhe të Gollakut nga qasja në këtë rrugë.

“Në kohën e qeverisjes 2011-2014, është paraparë zgjerimi i rrugës ekzistuese në katër korsi, nga Veterniku drejt pallatit të drejtësisë, në pjesën e majtë të Liqenit, Suteskë, Slivovë, Llabjan, Bresalc, Gjilan”.

“Ndërtimi i kësaj rruge ka qenë pjesë e një dakordimi edhe me kryeministrin kur është formuar qeveria e Kosovës. Për shkak të angazhimeve të mija jashtë vendit, fatkeqësisht është devijuar traseja krejtësisht në drejtim tjetër dhe Gollaku ka mbetur i privuar nga e drejta për të pasur qasje në infrastrukturë moderne rrugore”, kishte shkruar Pacolli.

Autostrada e Gjilanit nuk është pakënaqësia  vetme që Pacolli ka shfaqur kundër Qeverisë Haradinaj. Ai kohë më parë kishte paralajmëruar se nëse ky koalicion nuk arrin ta ratifikojë demarkacionin, si kusht për heqjen vizave, mund të dalë nga koalicioni.