Ajo është në Kosovë qe 12 vjet duke kryer hulumtime për rezerva minerare në Podujevë, por pasi i kreu hulumtimet institucionet në Kosovë ia pezulluan punën, duke e zvarritur me vite nëpër procese gjyqësore.
Në vitin 2006 kompania britanike “Lydian Internacional” ia kishte mësyrë Kosovës për të kryer investime milionëshe në sektorin minerar.
Kompani e specializuar për shpime të thella në hulumtimin e rezervave minerare, “Lydian” aso kohe në Kosovë e përfaqësuar nën emrin “Kosovo Resource Company”, e cila kishte fituar licencë nga Komisioni për Miniera dhe Minerale (KPMM) për të kryer hulumtime në Drazhnje në komunën e Podujevës.
Nga viti 2006 deri në vitin 2011, nga hulumtimet e kryera, kompania konstatoi në Drazhnje 7 milionë tonë rezerva minerare dhe kreu për këtë periudhë 10 milionë euro investime.
Këto investime kompania i kishte kryer në bashkëpunim me institucione financiare ndërkombëtare përmes kredive, siç është Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Banka Botërore (BB).
Por, pasi i konstatoi rezervat dhe kur kompania aplikoi në Komisionin për Miniera dhe Minerale për licencë të shfrytëzimit dhe eksploatimit të rezervave minerare të hulumtuara, institucionet në Kosovë filluan ta pengojnë punën e saj.
Gazeta “Zëri” ka siguruar të gjithë dokumentacionin për këtë rast, i cili rrezikon ta dëmtojë buxhetin e Kosovës deri në 100 milionë euro në Gjykatën e Arbitrazhit.