Këshilli e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara (HRC) i ka bërë thirrje Rusisë për lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny dhe protestuesve të opozitës.
Në deklaratën e përbashkët të nëshkruar nga 45 vende është edhe Shqipëria. Në këtë listë, nga vendet e rajonit, gjendet edhe Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Sllovenia, Kroacia dhe Greqia.
“Jemi të shqetësuar nga numri i madh i arrestimeve arbitrare të protestuesve që po shprehnin mbështetjen e tyre për Alexei Navalny në shumë qytete ruse. Zhvillimet e përgjithshme në lidhje me arrestimin, burgosjen dhe shtypjen e Navalny ndaj aleatëve dhe mbështetësve të tij janë prova e prekshme e tkurrjes së hapësirës së shoqërisë civile në Federatën Ruse, përfshirë mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe përfaqësuesit e pavarur të mediave. Ne i dënojmë me forcë këto veprime, të cilat përdorin mjetet e shtetit për të sulmuar media të pavarura dhe shoqërinë civile, dhe për të heshtur zërat kundërshtues”, thuhet në njoftimin e HRC-së.