Përfaqësuesit e Partisë Demokratike Shqiptare vizituan një pjesë të qytetit të Preshevës. Udhëheqësi i listës së PDSH-së, Dr. Ragmi Mustafa dhe kandidatët për këshilltar në Kuvendin Komunal nga qyteti i Preshevës patën rastin të bisedojnë drejtpërdrejt me një numër të madh të qytetarëve dhe të diskutojnë për nevojat dhe problemet me të cilat ata ballafaqohen çdo ditë.
Përfaqësuesit e PDSH-së vizituan objektin e Maternitetit në kuadër të shtëpisë së Shëndetit, Tregun e gjelbër, dy shkollat e mesme që të gjitha këto kanë pasur vëmendje të rëndësishme gjatë qeverisjes së PDSH-së, gjegjësisht dy të parat kanë qenë projekte të projektuara dhe të realizuara në qeverisjen e PDSH-së.
Gjithashtu u vizituan biznese të shumta, të vogla dhe të mesme në qytetin e Preshevës. Me ç’rast u vizitua edhe objekti i shkollës fillore “Ibrahim Kelmendi” në Preshevë, objekt ky që për sa vite me radhë nuk po përfundon së rinovuari, që ka tejkaluar të gjitha afatet e parapara ligjore për kohën e kryerjes së objektit në fjalë, mbarëvajtjen e këtij projekti e ka kritikuar edhe kreu i PDSH-së për jotransparencën në shpenzime, në punë dhe për kohën e stërzgjatur të përfundimit të projektit.
Kështu, PDSH-ja shpalosi programin e saj qeverisës për mandatin e ardhshëm për qytetin e Preshevës duke u premtuar vëmendje dhe projekte të përhershme në fushën e zhvillimit ekonomik, respektivisht ndihmesë të konsiderueshme përmes subvencioneve të ndryshme në bizneset e vogla dhe të mesme.
Qytetarëve të kësaj bashkësie lokale iu premtua përmirësimi i infrastrukturës rrugore, infrastrukturës shkollore, investim në mësimin kabinetik, në libra shkollor dhe për Bibliotekën e qytetit si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me ngritjen e mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve në vend.
Qytetarëve të qytetit të Preshevës iu kërkua mbështetja për PDSH-në sepse ajo është e vetmja parti politike që do t’ia kthej dinjitetin, nderin dhe profesionalizmin e institucioneve të Komunës së Preshevës.
Për Autoktonin tuaj dhe me krenari rrethoni numri 3.