PDSH vizitoi Këshillin e Bashkësisë Islame në Preshevë dhe Medresenë e Luginës së Preshevës

PDSH vizitoi Këshillin e Bashkësisë Islame në Preshevë dhe Medresenë e Luginës së Preshevës

Sot përfaqësuesit e Partisë Demokratike Shqiptare vizituan Këshillin e Bashkësisë Islame në Preshevë dhe Medresenë e Luginës së Preshevës, me ç’rast u pritën nga Kryetari i Këshillit të Mexhlisit të Bashkësisë Islame në Preshevë z.Ibrahim ef. Ahmedin. Gjatë këtij diskutimi PDSH-ja u informua për angazhimin e këtij institucioni në organizimin e jetës fetare dhe edukative në Preshevë dhe në Luginë të Preshevës në përgjithësi. Gjithashtu, diskutuan edhe për vështirësitë që ka kjo Bashkësi në realizimin e këtyre detyrave.

Në këtë kontekst, PDSH-ja u premtoi bashkëpunim dhe ndihmë të pakushtëzuar Bashkësisë Islame në Preshevë në realizimin e objektivave të tyre fisnike në fushën e organizimit të jetës fetare dhe në procesin edukativo-arsimor që ajo po e jep me Medresenë e Luginës së Preshevës. Mbështetje iu premtua edhe Medresesë si një institucion unik në aspektin e edukimit dhe arsimimit në Luginë të Preshevës.

Medreseja do të mbështetet me të gjitha mundësitë që i posedon pushteti lokal, duke filluar që nga aspekti administrativ e burokratik, mbështetje për elemente profesionale mësimore, për arsimim kabinetik, për furnizimin e bibliotekës me libra nga fushat e ndryshme, gjithashtu ndihmesë konkrete për nxënësit që ndjekin mësimin nga distanca të largëta, siç janë për shembull nga Komuna e Bujanocit dhe me rrethinë e të tjera.

Me një fjalë do të bëhet përpjeke që nxënësit e Medresesë së Luginës së Preshevës të trajtohen dhe të kenë vëmendjen e njëjtë me nxënësit e tjerë nëpër shkollat e tjera në nivel të Komunës së Preshevës.

PDSH-ja u përgëzua për përkujdesje të vazhdueshme për problemet e organizmit të jetës fetare në Luginë të Preshevë dhe në veçanti për Medresenë dhe sfidat e saja të përditshme. Palët u akorduan që të vazhdojnë bashkëpunimin në dobi të të gjithë qytetarëve të Luginës së Preshevës.