Irani refuzon çdo takim me ShBA-në në Vjenë për akordin bërthamor

Irani refuzon çdo takim me ShBA-në në Vjenë për akordin bërthamor

Irani të premten refuzoi çfarëdo takimi me Shtetet e Bashkuara në Vjenë, ku javën e ardhshme do të marrë pjesë në një sesion me vendet anëtare të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

“Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin pjesë në asnjë takim në të cilin Irani është i pranishëm, përfshirë takimin e komisionit të përbashkët të akordit bërthamor”, citohet të ketë thënë zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi.

“Është punë për ta, nëse palët tjera të akordit bërthamor do të kërkojnë që të konsultohen në mënyrë dypalëshe ose shumëpalëshe me Shtetet e Bashkuara, qoftë në Vjenë apo diku tjetër”, shtoi ai.

“Delegacioni iranian nuk do të ketë kurrfarë bisedimesh me delegacionin e ShBA-së në asnjë nivel”, tha më tej diplomati iranian.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, më 2018 i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore dhe i ktheu në fuqi sanksionet e ashpra ekonomike kundër Republikës Islamike.

Prej asaj kohe, Irani ka filluar që edhe vetë t’i shkelë pikat e kësaj marrëveshjeje, duke e rritur kapacitetin e uraniumit të pasuruar, pavarësisht thirrjeve të fuqive tjera që t’i qëndrojë besnik marrëveshjes.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Irani që t’i ndalë aktivitetet bërthamore, nëse dëshiron që të lirohet nga një pjesë e sanksioneve, por vendi aziatik ka këmbëngulur se ShBA-ja duhet ta bëjë hapin e parë e para, duke i larguar të gjitha sanksionet.