Zyra e Prokurorit të Shtetit ka reaguar lidhur me kanosjen që i është bërë prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Naim Abazi.
Sipas prokurorisë kjo kanosje erdhi si rrjedhojë e veprimeve të ndërmarra nga ai gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare si prokuror.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin se kanosja ndaj prokurorit Abazi është duke u trajtuar me prioritet dhe seriozitet të lartë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në mënyrë që kërcënuesi sa më parë ta marrë dënimin e merituar”, thuhet në njoftim.
Poashtu u theksua se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit qëndron afër të gjithë prokurorëve duke iu ofruar mbështetjen e plotë për punën dhe përkushtimin e tyre në ushtrimin e funksionit kushtetues dhe ligjor në hetimin dhe ndjekjen e të gjithë kryeseve të veprave penale.
Zyra e Prokurorit të Shtetit ka siguruar opinionin dhe qytetarët se kërcënimet ndaj prokurorisë nuk do t’i zmbrapsin asnjë hap dhe në asnjë mënyrë përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e shtetit ligjor./RTVALDI/