Reagojnë nga presidenca: Nuk pranojmë të bëhemi pjesë e asnjë dialogu ku temë është territori i Kosovës

Reagojnë nga presidenca: Nuk pranojmë të bëhemi pjesë e asnjë dialogu ku temë është territori i Kosovës

Nga presidenca e Kosovës kanë folur në lidhje me debatin e nxitur së fundmi për lëvizjen e kufijve në Ballkan, dhe disa ide e harta jo-formale që kanë qarkulluar në media, e që besohet të kenë dalë nga kabineti i kryeministrit slloven, Janez Jansa.

Këshilltari për media i Vjosa Osmanit, Bekim Kupina, ka thënë se është konfirmuar se artikulli i cili ka qarkulluar në media është “fake news”, dhe në të nuk ka asgjë të vërtetë, shkruan lajmi.net.

Ai thotë se një gjë e tillë është konfirmuar edhe në bisedat që presidenca ka pasur me Brukselin.

“Ne nuk mund t`i komentojmë artikujt e mediave. Sido që të jetë, pas komunikimit me ta, përfaqësuesit e shtetit slloven kanë bërë të ditur se artikulli të cilit i referoheni ju është një lajm i rremë (fake news), ndaj ekzistenca e tij  është mohuar nga autoritetet sllovene. Po ashtu, një gjë të tillë e kemi konfirmuar edhe pas bisedave që kemi pasur me Brukselin”, tha ai për lajmi.net.

Tutje, Kupina ka shtuar se qëndrimi i presidentes Osmani është i njohur se nuk pranohet që të jetë pjesë e asnjë lloj dialogu ku  temë diskutimi është ndarja e territorit të Kosovës.

“Qëndrimi i Presidentes Osmani është i njohur. Nuk pranojmë dhe nuk do të jemi pjesë e asnjë lloj dialogu që temë diskutimi e ka territorin e Republikës së Kosovës, që prekë tërësinë territoriale dhe rendin kushtetues të saj”, ka thënë Kupina./RTVALDI/