Brenda kësaj jave janë konstituuar shumica e komisioneve parlamentare të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, ndarja e të cilave sipas Agnesa Haxhiut nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), reflekton fuqinë politike të LVV-së, e cila ka marrë nën udhëheqje komisionet më të rëndësishme.
Nga 14 komisione sa tash ka Kuvendi, shtatë prej tyre udhëhiqen nga VV-ja.
“Bazuar në praktikat e legjislaturave të kaluara edhe në këtë legjislaturë kryesia e Kuvendit me anë të një vendimi ka vendosë që edhe kjo legjislaturë të ketë 14 komisione, vendim ky i cili tashmë është miratuar edhe nga seanca. Ndarja e komisioneve është bërë sipas formulës së përcaktuar që është praktikuar edhe në legjislaturat e kaluara dhe ndarja e komisioneve dhe përbërja e tyre e reflekton fuqinë politike që e ka secili grup parlamentar në Kuvend bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të fundit”.
“Në këtë rast LVV-ja ka më së shumti komisione nën udhëheqje gjithsej 7 prej tyre dhe ka prej komisioneve më të rëndësishme. Udhëheqin me komisionet e përhershme si ai për Buxhet dhe ai për Legjislacion por edhe të tjera funksionale janë më të rëndësishme si ai për Punë të Jashtme, Shëndetësi e Arsim”.
Haxhiu thotë se duke qenë që pozita bashkë me komunitetet joshumicë përfaqësohet nga shtatë anëtarë brenda komisioneve nuk do të ketë bllokadë në punën e tyre, ashtu siç ndodhte në legjislaturën e kaluar.
“Opozita ka pesë komisione, kurse komunitet joshumicë nga një komision. Bazuar në fuqinë politike të secilit grup parlamentar LVV nëpër komisione ka pesë anëtarëve që së bashku me nga një anëtarë të komuniteteve të joshumicës nënkupton që tashmë është krijuar raporti i votave 7 me 4 që janë vota të mjaftueshme të mos ketë bllokada siç ka ndodhur në punën e komisioneve të legjislaturave të kaluara, sidomos në këtë të fundit ku ka qenë problematike me proceduar me çështjet në seancë për shkak të mungesës së kuorumit në komisione”, ka shtuar ajo për EO.
Haxhiu ka folur edhe rreth përgatitjes profesionale që kanë deputetët e këtyre komisioneve, duke konsideruar se mungon ekspertiza në disa raste.
“Sa i takon çështjes së përvojës së anëtarëve nëpër komisione duhet të kemi parasysh që thuajse në secilën legjislaturë janë diku 3 a 4 profesione apo kualifikime që dominojnë në përbërjen e Kuvendit. Ngjashëm ndodhë edhe në këtë legjislaturë ku kemi diku gjysmën e deputetëve që i takojnë kualifikimeve si jurist, ekonomist, mjek, e politikolog. Normalisht që ka fusha që nuk kanë mbulueshmëri, nuk kanë ekspert”.
“Ndodhe që secili komision ka nga 11 anëtarë dhe jo të gjithë ata që janë mjekë të mbërrijnë të sistemohen në komisionin për shëndetësi, dhe ata duhet të vendosen në komisione tjera që nuk janë ekspert të asaj fushe veprimi. Për këtë arsye secili komision e ka mundësinë dhe buxhetin që të angazhojë ekspert të jashtëm dhe të shfrytëzojnë kapacitet që i ka Drejtoria për Hulumtime Parlamentare”, ka thënë ajo./RTVALDI/