Komuna e Bujanocit uron kryeministrin Rama për fitoren

Komuna e Bujanocit uron kryeministrin Rama për fitoren

Kryetari Nagip Arifi, në emër të qytetarëve të komunës së Bujanocit ka uruar kryeminstrin Edi Rama për fitoren e 25 Prillit. 

Në vazhdim po ju përcjellim urimin e plotë:

I dashur kryeministër Rama, 

Kam privilegjin që në emër timin dhe të qytetarëve të komunës së Bujanocit të ju uroj për fitoren e madhe në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, duke ridëshmuar për të tretën herë se politika që udhëheqni është e duhura për vendin dhe qytetarët shqiptarë.

Kemi përcjellur me kujdes gjithë procesin zgjedhor, dhe lirisht mund të them se përveç Partisë Socialiste që triumfoi në këto zgjedhje, gjithashtu fituan edhe shqiptarët dhe Shqipëria. 

Uroj që angazhimi i Qeverisë suaj të vazhdojë për të gjithë shqiptarët jashtë Republikës së Shqipërisë, me theks të veçantë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët ende mbeten pakica më e diskriminuar në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor.  Një Shqipëri me stabilitet politik dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik do të ishte një faktor sigurie edhe për shqiptarët jashtë Republikës së Shqipërisë.

Ju uroj punë të mbarë dhe realizim të qëllimeve për Shqipërinë dhe kombin shqiptar!

Vëllazërisht, 

___________________

Nagip Arifi 

kryetar