• E mërkurë / Apr-30 14:38
  • Kontakt

Alternativa Për Ndryshim shënon 26 vjetorin e referendumit e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992

Në mbledhjen e djeshme , Këshilli Qendror i Alternativës për Ndryshim ka shënuar 26 vjetorin e Referendumit të 1 dhe 2 marsit të vitit 1992.

Në mbledhjen e djeshme , Këshilli Qendror i Alternativës për Ndryshim ka shënuar 26 vjetorin e Referendumit të 1 dhe 2 marsit të vitit 1992. Referendumi i 1 dhe 2 marsit për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën, vlerësohet si njëri nga momentet kyçe të historisë sonë të lavdishme në Luginën e Preshevës.

Vullneti i shprehur politik përmes Referendumit si verdikt i pamohueshëm i qytetarëve të Luginës së Preshevës paraqet lirinë elementare dhe themelore të vendeve demokratike. Atdhedashuria, shpresa, sakrifica, trimëria dhe krenaria kombëtare janë vlerat njerëzore të celebruara më 1 dhe 2 mars të vitit 1992. Populli shqiptarë në këtë rajon si premisë elementare dhe bashkohore të një shoqërie progresive ka dëshmuar vullnetin e tij politik me pjesëmarrje masovike në Referendum duke kërkuar realizimin e aspiratave dhe idealeve të larta kombëtare.

Referendum i 1 dhe 2 marsit është padyshim udhërrëfyes i angazhimit tonë politik si dhe frymëzim i gjeneratave të reja.

Ashtu siç është theksuar shumë herë, Alternativa për Ndryshim qëndron pas kërkesave të domosdoshme të reformave brendapartiake të subjekteve politike në Luginën e Preshevës, gjë që do të mundësonte bashkëpunime në gjetjen e konsensusit politik në Luginën e Preshevës.

Ngecja serioze për realizimin e kërkasave legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës sipas konventave ndërkombëtare është evidente, ndërkaq mos angazhimit serioz të pushteteve qendrore në Serbi i`u kanë bashkangjitur edhe lidershipi i stërvjetëruar shqiptarë i cili në vitet e fundit ka vepruar ekskluzivisht për interesat e tyre individuale dhe klanore. Gjithashtu të evidentuara janë edhe përpjekjet e disa personave të izoluar politikisht, që të përvetësohet organizimi i Referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992, dhe të keqpërdoret ai për interesa partiake në raste të veçanta si fushata parazgjedhore.

Alternativa për Ndryshim zotohet se do të kërkoj intenzivisht një unifikim të subjekteve politike në Luginën e Preshevës, të përfaqësuar në struktura dhe organizim të ri demokratik, që mundëson krijimin e kushteve për zhvillimin e proceseve dhe zgjedhjen përfundimtare të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Së bashku, domosdoshmërisht duhet kërkuar respektivisht aktualizuar mekanizmat dhe veprimet adekuate për zgjidhjen e problemeve në Luginën e Preshevës duke treguar një gatishmeri për një dialog të mirëfilltë, që mundëson procese serioze shpresëdhënëse. Konsensi politik na mundëson paraprakisht edhe përpilimin e planeve konkrete për zgjidhjen politike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, natyrisht duke siguruar mbështjetjen e faktorit ndërkombëtarë si dhe qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Sfidat jetike dhe interesi kombëtarë për shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk duhet të ndërlidhen me teket dhe inatet politike të "aristokratëve dhe oligarkëve provincial". Koha e tyre tani më ka kaluar!

KËSHILLI QENDROR i APN