DEKLARATË E KRYETARIT TË PVD - së ME RASTIN E 26 VJETORIT TË REFERENDUMIT TË 1 DHE 2 MARSIT 1992
Në 26 vjetorin e Referendumit të mbajtur me 1 dhe 2 mars 1992 kemi mundësi të bëjmë shqyrtim më objektiv të kësaj ngjarje historike që vazhdon të ketë rëndësi të jashtëzakonshme politike për Luginën e Preshevës.
Rëndësia e posaçme e Referendumit qendron në faktin se për herë të parë Shqiptarët e këtij rajoni patën mundësinë për t'a shprehur vullnetin e tyre politik, duke paraqitur modelin politiko - shoqërorë me të cilin në mënyrë të drejtë do të zgjidhej statusi i tyre politiko - juridik, që do t'i mundësoj zgjidhjen efikase problemeve të rënda jetësore me të cilat ata ballafaqohen.
Është me rëndësi të potencohet se Referendumi i Shqiptarëve në Luginë të Preshevës ishte organizuar në bazë të qëndrimeve të paraqitura në "Deklaratën politike për pozitën e popullit shqiptarë në Jugosllavi" të Këshillit Koordinues të partive politike shqiptare në ish Jugosllavi të 03.09.1991, pjesë e të cilit ishin edhe Partia për Veprim Demokratik dhe Partia Demokratike Shqiptare.
Gjithashtu është me rëndësi të potencohet se ky Referendum, por edhe Referendumi në Kosovë si dhe Referendumi i Shqiptarëve në Maqedoni, u mbajtën në vigjilie të shpartallimit të ish Jugosllavisë dhe pretendonin të paraqesin publikisht strategjinë politike për zgjidhje demokratike të statusit të Shqiptarëve në ish Jugosllavi duke u bazuar në vlerat evropiane.
Në këto 26 vite ka shumë diskutime lidhur me dështimet e gjertanishme për t'u realizuar vullneti politik i shprehur me Referendum. Shumë shpesh po ngatërrohet strategjia e veprimit politik me të cilin përcaktohen objektivat madhore, që ne i kemi përcaktuar me anë të Referendumit, me veprimet legale të bazuara në ligjet ekzistuese, të cilat tërë kohën ishin restriktiv e shumë shpesh edhe diskriminues.
Në këto diskutime rëndom nuk merren parasysh edhe faktet se pas Referendumit u shpartallua ish Jugosllavia me pasoja të rënda tragjike, të përcjellura me luftëra të përgjakshme. Ndërsa Shqiptarët e Luginës së Preshevës drejtëpërdrejtë u ballafaquan në format më të egra të luftës në Kosovë, por edhe të luftimeve në Zonën e Sigurisë Tokësore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Aktualisht, jo vetëm çështja e realizimit të vullnetit politik të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës të shprehur me Referendum, por edhe çështja e zgjidhjes së problemeve ekzistenciale jetësore në Luginë të Preshevës po pamundësohet me format më drastike në rradhë të parë për shkak të raporteve jonormale të Serbisë me Kosovën, dhe rrjedhimisht për shkak të qëndrimeve dhe praktikës diskriminuese shtetërore ndaj Shqiptarëve në Serbi, e posaçërisht ndaj Shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Jo rradhë herë në diskutimet politike Referendumi i 1 dhe 2 marsit të vitit 1992 po reduktohet vetëm në pjesën e dytë të pyetjes referendumiane, që ka të bëjë me të drejtën e bashkimit të këtij rajoni me Kosovë. Në këtë drejtim më duhet ta citoj deklaratën e Kuvendit për shpalljen e Referendumit të 24 shkurtit 1992 ku në pasuesin e fundit kemi sa vijon: "Në rast të ndryshimit të kufijve të njësive konstituive të Federatës Jugosllave, Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të përcaktohen për bashkangjitje Kosovës, natyrisht, në suaza të proçeseve demokratike të zgjidhjes së krizës së Jugosllavisë". Është shumë e qartë se kritikat e paraqitura në këtë drejtim nuk janë të bazuara as në deklaratën e Kuvendit për shpalljen e Referendumit as në deklaratën politike të PVD - së dhe PDSH - së që i kanë paraprirë formimit të këtij Kuvendi e as qëndrimet kruciale të njohura të faktorit ndërkombëtarë lidhur me zgjidhjen e krizës në ish Jugosllavi.
Natyrisht për periudhën që e kemi kaluar e posaçërisht për periudhën vijuese ka rëndësi të posaçme deklarimi për autonomi politike dhe territoriale për Luginën e Preshevës. Mirëpo, realizimi i këtij synimi strategjik politik për të cilën u deklaruan në mënyrë plebishitare Shqiptarët e këtij rajoni, është objektiv madhorë që kërkon angazhim permanent të përbashkët të gjithë forcave politike shqiptare në Luginë të Preshevës, mirëpo edhe përkrahje substanciale të strukturave shtetërore në Shqipëri dhe Kosovë.
Për zgjidhjen afatgjate të statusit politiko juridik të Shqiptarëve në Serbi e posaçërisht në Luginë të Preshevës, është i domosdoshëm demokratizimi i mirëfilltë i Serbisë në kuadër të rrugëtimit të saj në kuadër të integrimeve europiane. Serbia me Kushtetutën e saj të re që duhet patjetër të jetë e bazuar në vlerat dhe traditat europiane, patjetër duhet të gjejë modalitetet kushtetuese dhe ligjore me të cilat në mënyrë efikase do të zgjidhet statusi i pakicave nacionale që në rajone të caktuara paraqesin shumicë të popullatës siç janë shembujt e Hungarezëve në pjesë të caktuara të Vojvodinës, Boshnjakëve në Sanxhak dhe natyrisht të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Ekziszojnë praktika shumë pozitive të shteteve europiane të cilat me nivele të larta të autonomisë i kanë zgjidhur këto çështje. Mirëpo modeli më i ri dhe më i avansuari i zgjidhjes së kësaj problematike sigurisht që është Kosova e cila me Kushtetutën e vet, në bazë të dokumentit të Ahtisarit e ka zgjidhur në mënyrën më të mirë të mundshme statusin e pakicës serbe.
Pra, Referendumi i 1 dhe 2 marsit të vitit 1992 kurrë nuk mund ta humb vlerën e tij historike sepse kërkesat e parashtruara me këtë rast paraqesin objektiv madhorë për realizimin e të cilit duhet me ngulm të angazhohen të gjitha strukturat politike në Luginë të Preshevës, pa i lejuar matrapazëve të ndryshëm politik që t'i devalvojnë kërkesat e parashtruara me aktin më të lartë demokratik që e njeh bota e civilizuar.
Preshevë, 01.03.2018 Kryetari i PVD - së
Riza HALIMI