Tash e disa vite kemi qenë dëshmitarë të retorikave të ashpra ndërmjet fuqive të mëdha botërore, të cilat shkojnë aq larg saqë e vënë në pah edhe një luftë tjetër të madhe në botë, Luftën e Tretë Botërore.
Konflikti më i ashpër diplomatik për momentin ekziston ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Koresë së Veriut, kjo e fundit, mospërfillëse ndaj sanksioneve nga Kombet e Bashkuara dhe jashtëzakonisht e ashpër me deklaratat e tyre drejtuar SHBA-ve.
Në anën tjetër, Rusia dhe Kina janë duke qëndruar në pozitë neutrale herë-herë duke u shprehur kundër SHBA-ve, duke i shprehur haptazi qëllimet e tyre karshi Amerikës dhe pretendimet e tyre në Shtetet Baltike, gjegjësisht në Oqeanin Indian (Kina), transmeton lajmi.net
Në anën tjetër kemi shtete të tjera të fuqishme si Japonia dhe Australia të cilat së bashku me SHBA-të do të fillojnë trajnimet ushtarake në Prill të këtij viti e të cilat priten të zgjasin deri në vjeshtë, gjë që e ka nervozuar tej mase diktatorin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Por, nuk janë problemi i vetëm i paqes në botë deklaratat e liderëve të fuqive më të mëdha botërore. Ekziston edhe një antagonizëm tradicional në Lindje, ndërmjet Shteteve Arabe dhe Iranit, e gjithashtu është e dukshme edhe tendenca e Turqisë që të përfshihet në konfliktin e hapur atje.
Turqia së pari me Udhëheqësin e Partisë Popullore Republikane kishte kërcënuar se do të pushtonte rreth 18 ishuj të Greqisë, retorikë që kjo më vonë vetëm u radikalizua nga presidenti i tanishëm i Turqisë, Reccep Tayip Erdogan. Këtë e vërtetojnë edhe ankesat e kryeministrit grek, Tsipras, duke shprehur frikën ndaj Turqisë.
Turqia, së fundmi është përfshirë edhe në konfliktin civil në Siri. Së pari, Erdogani me pretekstin e pastrimit të zonës së kufirit, kishte sulmuar enklavën kurde në qytetin Afrin të Sirisë dhe më pas ishte përballur me forcat e Asadit kundër zhvendosjes nga territori i “çliruar” dhe kështu deri sonte kur janë vrarë 8 ushtarë turk në përleshje në Sirinë Veriore.
Presidenti turk, është duke tentuar t’ia kthejë Turqisë “lavdinë” e kohës së Perandorisë Osmane, duke menduar kështu që të shtrijë përsëri ndikimin e saj në Lindje dhe të bëhet një lloj ndërmjetësuese ndërmjet Lindjes, Rusisë dhe SHBA-ve. Këtë pretendim të supozuar të Turqisë e bën edhe më të fortë pozicionimi i saj neutral ndaj SHBA-ve dhe Rusisë, transmeton lajmi.net
Antagonizmit ndërmjet Iranit dhe Shteteve Arabe, mund t’i shtohet edhe një akter i tretë, e që është Turqia e Erdoganit. Pretendimi i shtetit turk që të ndërhyjë ushtarakisht në Siri, nënkupton edhe tendencen e madhe për shtrirjen e saj në Lindje, në momentin kur gjërat atje janë duke shkuar si mos më keq.
Nëse kthehemi dhe analizojmë pse kanë filluar Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, atëherë mund të shohim se pikërisht në kulmin e konflikteve diplomatike, është nevojitur një arsye krejtësisht e vogël që të fillojë lufta.
Turqia me tendencën e saj për të “shkatërruar” Greqinë, gjë e cila kundërshtohet dhe dënohet ashpër nga Kombet e Bashkuara dhe tendenca e saj për pushtim në Lindje, mund ta bëjnë Turqinë shkaktare të plasjes së Luftës së Tretë Botërore.
Por, me kënd do të rradhitet Turqia?
Pozicionimi i Turqisë në kohët e fundit është bërë mjaftë i paqartë. Shteti turk ka prishur marrëdhëniet me SHBA-të, por me ndërhyrjen e saj të fundit në Siri dhe përleshjen me trupat e Asadit, Turqia ka dalur edhe kundër Rusisë, pasi kjo e fundit është një nga shpëtimtarët e regjimit të Asadit.
Pra, mund të thuhet se shteti turk ka vetbesim të tepruar duke menduar se mund të shtrijë ndikimin e saj në Lindje, të rikthejë mbizotërimin e saj në pjesët kryesore të Evropës dhe në këtë mënyrë të jetë mbase edhe shteti më i rëndësishëm në botë.
Tendenca për rikthimin e ideologjisë së Perandorisë Osmane është i qartë dhe ky akt do të fuste në lojë Turqinë si një shtet tjetër islam me ideologji fetare ndryshe nga Irani dhe Shtetet Arabe, gjë të do të komplikonte dhe vështirësonte edhe më shumë gjërat për arritje të paqes në botë, e përveç kësaj, Turqia mund të bëhej shkaktare e Luftës së Tretë Botërore.