Asamblistja Bejta kërkon përkrahje nga institucionet që të zhvillohet turizmi në Prishtinë

Asamblistja Bejta kërkon përkrahje nga institucionet që të zhvillohet turizmi në Prishtinë

Asamblistja e pavarur në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, Fiknete Bejta, mendon se Prishtina ka potencial që të shndërrohet në njërin nga destinacionet e lakmueshme të Ballkanit Perëndimor.

Bejta ka treguar se para vitit të pandemisë, Prishtina ka arritur të numëronte 120 mijë turistë në vit. Por që Prishtina të shndërrohet në një ambient turistik, ajo ka propozuar disa hapa që duhet të ndërmerren nga niveli lokal dhe ai qendrore.

Postimi i plotë i Bjetës:

Investimet në turizem janë faktorë i rëndësishëm për mbajtjen, ngritjen dhe zhvillimin e ekonomisë së një vendi. Deri para vitit të Pandemisë Prishtina ka arritur të numëron 120 mijë turistë në vit që do të thotë që është një impakt i rëndësishëm në buxhetin e shtetit dhe në të ardhurat e bizneseve.

Që Prishtina të shndërrohet në njërin nga destinacionet e pashmangshme të Ballkanit Perëndimor duhet ofruar: infrastrukturë moderne dhe të përshtatshme turistike, mundësi për përjetim të trashëgimisë kulturore dhe shpalosje të historisë, promovim të atmosferës origjinale të krijuar nga të rinjtë, aktivitete për shfaqje të miqësisë dhe mikpritjes; dhe produkte turistike të qëndrueshme. Të gjitha këto do të jenë në funksion të krijimit të vendeve të reja të punës dhe avancimit të turizmit në mesin e sektorëve parësor të Komunës së Prishtinës.

Përtej Komunës detyrat e nivilit qendror për të rritur zhvillimin e turizmit në Kosovë dhe në veçanti në Prishtinë janë që ky nivel duhet ti marr këto tri masa kryesore :

  1. Të reduktojë TVSH-ën për shërbimet e akomodimit nga 18% në 8%, për të qenë konkurrent me vendet tjera të rajonit (Maqedonia~5%, Shqipëria Mali i Zi~7%, Serbia 10%) .
  2. Të hartojë një strategji të turizmit në nivel kombëtar që definon objektivat dhe orientimet për zhvillim të këtij sektori dhe
  3. Të rregullojë me ligj që turet brenda territorit të Kosovës të mbulohen vetëm nga guidat vendore, ashtu siç e kanë vendet fqinje.

Prishtina ka vende shumë interesante dhe atraktive për turistët por duhet të investuar në infrastrukturë dhe në avansim të resurseve.