Përfundojnë gërmimet vlerësuese në Kizhevak, gjenden mbetje mortore të të paktën nëntë personave

Përfundojnë gërmimet vlerësuese në Kizhevak, gjenden mbetje mortore të të paktën nëntë personave

Është përmbyllur në Kizhevak të Rashkës, Serbi, procesi i gërmimeve vlerësuese dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë. 

Procesi i gërmimit dhe zhvarrimit të mbetjeve mortore në këtë lokacion është realizuar në dy faza, nga 30.11.2020 – 09.12.2020 (faza I) dhe nga 05.05.2021 – 26.05.2021 (faza II).

Nga data 5 maj, kur kanë rifilluar gërmimet në këtë lokacion, është bërë vlerësimi i plotë i tërë lokacionit të shënjuar të varrezës masive dhe është bërë zhvarrosja e të gjithë eshtrave të viktimave të luftës që kanë qenë në këtë lokacion.

Në bazë të ekzaminimit antropologjik është konstatuar se numri minimal i individëve të zhvarrosur është nëntë (9), prej të cilëve dy janë të identifikuar, përmes metodës së ADN-së, në fazën e I-rë të procesit të zhvarrimit.

Pjesë e gërmimeve ishin ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, në emër të Delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, krahas ekspertëve të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ekspertëve të EULEX-it , Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, si dhe institucioneve të Serbisë.

Gjatë këtyre javëve, lokacioni i varrezës masive në Kizhevak, Serbi, është vizituar edhe nga familjarët e personave të zhdukur dhe nga një delegacion i lartë nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq nga Gjeneva të shoqëruar nga përfaqësuesit e dy delegacioneve në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional familjeve të tyre dhe vendosjen e drejtësisë.