Më datë 05 dhe 06 qershor të këtij viti, Medreseja e Luginës së Preshevës në kuadër të aktiviteteve të saja, realizoi eksursionin dy ditor në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Së pari, stafi udhëheqës i Medresesë me nxënësit dhe nxëneset e kësaj shkolle, u pritën në Shkup në selinë e Bashkësisë fetare islame, nga kryetari i Bashkësisë fetare islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut , Reisul-u-ulema, haxhi hafiz Shaqir ef. Fetahu me bashkëpunëtorë dhe nga drejtori i Medresesë “Isa beu” në Shkup, haxhi Ibrahim ef. Idrizi.
Me këtë rast shkëlqësia e tij, haxhi hafiz Shaqir ef. Fetahu, mysafirëve nga Lugina e Preshevës iu bëri një pritje tejet të ngrohtë dhe vëllazërore. Në kabinetin e Reisit, kryetari mbajti një fjalim më se përmbajtësor duke aluduar në rolin që ka Medreseja e Luginës së Preshevës në nxjerrjen e kuadrove të reja për dy gjinitë në sferën arsimimit, edukimit dhe të emancipimit në frymën islame dhe njerëzore për të mirën e brezave të rinj. Po ashtu, kryetari haxhi hfz. Shaqir ef. Fetahu vuri theksin edhe në bashkëpunimin reciprok dhe të ndërsjellë në mes të instuticioneve përkatëse të dy vendeve tona mike e vëllazërore.
Pas kësaj vizite zyrtare, delegacioni i Medresesë së Luginës së Preshevës i udhëhequr nga koordinatori i Medresesë, haxhi Ismail ef. Halimi me bashkëpunëtorë, Abdullah ef. Abdiun , kryeimam, Bejtulla ef. Veselin, sekretar i Medresesë, profesorët, profesoreshat, nxënësit dhe nxënëset, vazhduan rrugëtimin për në qytetin e Ohrit dhe atë të Strugës.
Në qyetin e Strugës u bë akomodimi në hotelin ”Art” në të cilin u siguruan ushqimi, fjetja dhe qëndrimi në kushte të volitshme për mysafirë.
Në kuadër të eksursionit, stafi i Medresesë së Luginës së Preshevës me gjithë profesorët, profesoreshat, nxënësit dhe nxënëset në Myftininë e Strugës u pritën nga myftiu , mr. Salim ef. Sylejmani.
Po në qytetin e Strugës delagacioni i Medresesë vizitoi “Xhaminë Mustafa Çelebi” dhe shumë vende të rëndësishme fetare, kulturore dhe shoqërore të këtij qyteti të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Gjatë kthimit për në Luginën e Preshevës, të dielën, në qytetin e Gostivarit u realizua vizita në Xhaminë shumë të bukur të qytetit “Nata e Kadrit” me ç’rast u bë falja e namazit të ikindisë.
Me të mbërritur në Shkup iu bë vizitë Xhamisë së Sarajit në të cilën u krye falja e namazit të akshamit.
Me faljen e namazit me sukses të lartë, përfundoi kjo vizitë dyditore dhe delegacioni i Medresesë me gjithë nxënësit dhe nxëneset u nisën me autobusë specialë për në Luginën e Preshevës për të mbërritur në vendlindje në orët e mbrëmjes shëndosh e rehat.
Njofton Sektori për informim pranë Bashkësisë islame të Preshevës dhe Medresesë së Luginës së Preshevës
Në Preshevë
Më: 07.06.2021